Jakup Hasani, nipi i 60-vjeçarit Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami”, i cili mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur sot në Fier, ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale në Spitalin e Fierit.

Mësohet se i riu ka marrë katër plumba në trup dhe, pas përfundimit të operacionit, është dërguar në repartin e reanimacionit, ku do të vijojë të mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore. Në ambientet e spitalit janë marrë masa të rrepta sigurie.

Atentati ndodhi në oborrin e banesës së familjes Hasani, ku autorët hapën zjarr ndaj Selami Hasanit, i cili u ekzekutua teksa ndodhej pranë murit rrethues të shtëpisë. Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur rëndë edhe nipi i tij.

Ndërkohë, emri i Selami Hasanit rezulton i përfshirë edhe në një ngjarje të rëndë kriminale të vitit 2002, e njohur si masakra e “Sheshit të Valutës” në Fier.

Sipas dosjes gjyqësore, Hasani u shpall fajtor për bashkëpunim në vrasjen e dyfishtë të Julian Isufit dhe Esat Tazes, ndërsa nga sulmi i asaj kohe mbetën të plagosur edhe Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj.

Vendimet gjyqësore e cilësonin krimin si të kryer në bashkëpunim me Pëllumb Yzeirajn, me të cilin, sipas gjykatave, kishte pasur një marrëveshje paraprake për organizimin dhe realizimin e vrasjeve.

Hetimet për atentatin e sotëm vijojnë, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.