Një situatë shqetësuese është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar nga Pogradeci, i cili tregon se së bashku me 19 pasagjerë të tjerë ka mbetur për rreth një orë në autostradë, në mes të natës, pasi furgonit me të cilin udhëtonin i është çarë goma.
Sipas denoncimit, ngjarja ka ndodhur pranë tunelit të Krrabës, gjatë udhëtimit me linjën Pogradec-Tiranë. Pas çarjes së gomës, pasagjerët janë përballur me një tjetër të papritur: furgoni nuk kishte gomë rezervë për të vijuar udhëtimin.
Qytetari shprehet se shoferi u ka komunikuar se duhet të prisnin mbërritjen e një furgoni tjetër, pasi nuk kishte mundësi ta zëvendësonte gomën e dëmtuar.
“Jemi nisur 20 veta me një furgon të linjës Pogradec-Tiranë. Çahet goma afër tunelit të Krrabës dhe shoferi thotë se duhet të presim derisa të vijë një furgon tjetër, sepse nuk kam gomë rezervë. Kemi një orë në autostradë, në mes të natës. A i kontrollon njeri këto shoqëri transporti?”, shkruan qytetari në denoncimin e tij.
Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur edhe pamje nga vendngjarja, të cilat tregojnë pasagjerët duke pritur në autostradë, në kushte që ngrenë shqetësime serioze për sigurinë e tyre.
Rasti ngre pikëpyetje mbi gjendjen teknike të mjeteve të transportit ndërqytetas, masat që marrin operatorët për situatat e emergjencës dhe sigurinë e qytetarëve që udhëtojnë me këto linja.
Mbetet e paqartë nëse automjeti ishte kontrolluar përpara nisjes dhe sa kohë u është dashur pasagjerëve të presin deri në mbërritjen e mjetit zëvendësues.
Qytetari kërkon që institucionet përgjegjëse të ushtrojnë kontrolle më të rrepta ndaj shoqërive të transportit, në mënyrë që pasagjerët të mos përballen me situata të tilla, veçanërisht gjatë orëve të natës.
A duhet të presin qytetarët një incident të rëndë që siguria në transportin ndërqytetas të merret më seriozisht?