Koncert në ajër! Asambli i Këngëve dhe Valleve dhuron spektakël në avion: Improvizim që theu rregullat!
Asambli i Këngëve dhe Valleve mbush vitin e ardhshëm 70 vite aktivitet dhe trupa së bashku me drejtorin artistik Sokol Marsi zhvillojnë një koncert në Skoci. Ky është koncerti i dytë i asamblit, pas atij në Londër.
Por para se të mbërrinin në Skoci për koncertin e tyre, trupa e artistëve dhuroi emocione të mëdha në avionin e linjës, ku kënduan live këngën “Bishtalecat palë-palë”, një moment ky që u bë mjaft viral në rrjet.
Drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Sokol Marsi në një intervistë për emisionin “Takohemi n’Vizion”, u shpreh se e gjithë situata ishte një improvizim që u prit mjaft mirë nga pasagjerët.
“Asambli e ka këtë të bukur. Ishte e improvizuar. Që në fillim kur u nisëm unë mendova që ti kërkoja stiuardesës të krijonim një moment të bukur në avion. Gjatë udhëtimit, kur avioni ishte në momentin që njerëzit të lëviznin, i kërkova stiuardesës të krijonim një situatë të këndshme. I thash që jemi nga asambli dhe ikim për koncert në Skoci. Ajo më tha që nuk është në rregullat tona, por do e bëjmë një përjashtim. Unë nisa tu thosha artistëve, te Araniti i thash që mendo një këngë”, tha Sokol Marsi.
Këngëtari Aranit Hoxha tregoi pse përzgjedhja e grupit ishte kënga “Bishtalecat palë-palë”.
“Mua më zgjoi nga gjumi. Kur më preku drejtori më tha do këndojmë. I thash a zbritëm, jo tha do këndojmë në avion. “Bishtalecat palë palë” sjell harmoni. Në fillim u çuditën dhe më pas brohorisnin dhe duartrokisnin. Ne krijojmë atmosferë edhe në qiell, imagjino në tokë se çfarë bëjmë”, tha Hoxha.




