Atentati që i mori jetën “Sel Çamit”, del nga operacioni nipi i tij, mori katër plumba në trup

Aktualitet | 8 minuta më parë

Jakup Hasani, i plagosur në atentatin e ndodhur paraditen e kësaj të hëne në Fier, ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Fierit dhe më pas është dërguar në repartin e reanimacionit, ku ndodhet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe masa të rrepta sigurie.

Sipas informacioneve paraprake, atentati ndodhi rreth orës 09:40 në lagjen “1 Maji” të Fierit.

Viktimë e sulmit mbeti Selami Hasani, ndërsa i plagosur rëndë mbeti nipi i tij, Jakup Hasani.

Të dy ndodheshin në oborrin e banesës kur autorët hapën zjarr në drejtim të tyre.

Menjëherë pas ngjarjes, policia nisi kërkimet për autorët. Në fshatin Dërmenas u gjet një automjet i përfshirë nga flakët, i dyshuar se është përdorur nga autorët e atentatit, ndërsa u ngritën postblloqe kontrolli në akset hyrëse dhe dalëse të qyteteve për identifikimin e tyre.

Kush ishte Selami Hasani

Selami Hasani, i njohur ndryshe si “Sel Çami” ose “Seli i Malit”, ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Fier më 25 mars 2002.

Në atë ngjarje u vranë Julian Isufaj, i afërm i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, si dhe kambisti Esat Tare, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Sipas hetimeve të kohës, krimi lidhej me konflikte të hershme mes grupeve rivale në Fier.

Pas shtatë vitesh në kërkim, Hasani u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA në banesën e tij në lagjen “1 Maji”. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe dy armë zjarri. Edhe pse ishte dënuar me 25 vite burg, ai u lirua në fund të vitit 2021, pasi kishte kryer rreth 11 vite dënim.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme