Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar një hetim të plotë për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, duke ngritur dyshime për paracaktimin e fituesit të garës dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë në vendimmarrje. Përmes një reagimi publik, Bardhi ka deklaruar se çështja e koncesionit të Aeroportit të Vlorës nuk duhet të trajtohet thjesht si një rast i dyshuar korrupsioni, por si një aferë që, sipas tij, ngre shqetësime serioze për respektimin e ligjit, Kushtetutës dhe detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Në qendër të akuzave të tij janë kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku, për të cilët Bardhi kërkon që SPAK të verifikojë rolin e tyre në procedurat e dhënies së koncesionit.
Postimi i plotë
Afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës duhet të hetohet pa vonesa, në mënyrë të plotë, të pavarur dhe me profesionalizmin maksimal. Pa ndikim politik, pa standarde të dyfishta dhe pa asnjë kompromis me përgjegjësit. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një tjetër rast të dyshuar të korrupsionit që ka rrënuar institucionet e shtetit shqiptar. Këtu bëhet fjalë për shkeljen e ligjit, të Kushtetutës dhe të detyrimeve që Shqipëria ka marrë përsipër në marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Europian. Në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një cenim të rëndë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ky është një regres serioz në rrugën europiane të vendit.
Dua të rikthej në vëmendje dëshminë publike të biznesmenit Behgjet Pacolli, të bërë disa muaj më parë. Sipas kësaj dëshmie, gara nuk ka qenë mekanizmi real për përzgjedhjen e fituesit. Përkundrazi, vendimmarrja për koncesionin dhe ndarja e interesave ekonomike janë diskutuar paraprakisht në zyrën e Belinda Ballukut, ndërsa procedura formale e garës ka shërbyer vetëm si fasadë.
Dëshmia e Pacollit ngre pikërisht dyshimin se koncesioni i Aeroportit të Vlorës është orientuar politikisht nga Edi Rama dhe administruar nga Belinda Balluku, e cila ka firmosur aktet përkatëse. Veçanërisht shqetësuese është pjesa e dëshmisë që lidhet me takimet në zyrën e Belinda Ballukut, ku, sipas Pacollit, diskutoheshin jo vetëm emrat e përfituesve të koncesionit, por edhe përqindjet e aksioneve që do t’i takonin secilit, përpara se procedura të zhvillohej formalisht.
Po aq serioze është edhe dëshmia mbi interesin për të kënaqur partnerin turk në këtë marrëveshje dhe pretendimin se largimi i tij i mëvonshëm do t’u hapte rrugë interesave të tjera private dhe duarve të korrupsionit të Belinda Ballukut në një pasuri strategjike publike. Në këtë rast kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë të kapjes së një pasurie publike përmes vendimmarrjes politike dhe interesave private.
Dëshmia publike e Behgjet Pacollit përbën një element me rëndësi të veçantë për hetimin e SPAK. Ajo është bërë publike dhe, sipas informacionit të disponueshëm, është administruar edhe zyrtarisht nga organi i akuzës. Megjithatë, mungesa e transparencës mbi ecurinë e hetimit dhe zvarritja e tij kërkojnë një përgjigje institucionale.
SPAK duhet t’u japë përgjigje shqiptarëve:
1️⃣ Në çfarë faze ndodhet hetimi për koncesionin e Aeroportit të Vlorës?
2️⃣ A janë verifikuar plotësisht deklarimet e Behgjet Pacollit dhe dokumentacioni që lidhet me to?
3️⃣ A po hetohet roli i të gjithë personave që kanë marrë pjesë në vendimmarrjen për këtë koncesion, përfshirë Belinda Ballukun dhe Edi Ramëm?
4️⃣ Kur do të dalin përgjegjësit përpara drejtësisë?
Pasuritë publike nuk janë pronë e kryeministrit, e ministrave apo e klientelës së tyre politike dhe ekonomike. Ato janë pasuri e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të ketë integrim europian me standarde europiane në letër dhe me praktika klienteliste në administrimin e pasurisë publike. Nuk mund të ketë barazi para ligjit nëse pushteti politik mbetet i pandëshkuar.
