Rreth 50 deri në 70 mijë persona kanë dalë në protestë të hënën në Bruksel, duke kundërshtuar politikat ekonomike dhe masat e kursimit të ndërmarra nga qeveria federale belge, e drejtuar nga kryeministri Bart De Wever.

Protesta u organizua nga tre sindikatat kryesore të vendit, CSC, FGTB dhe Synova, të cilat kundërshtojnë reformat e paralajmëruara dhe ndikimin e tyre në kushtet e punës dhe jetesën e qytetarëve.

Gjatë manifestimit, protestuesit ngritën shqetësime për rritjen e kostos së jetesës, dobësimin e fuqisë blerëse, pasigurinë në tregun e punës dhe rrezikun që masat e reja të cenojnë të drejtat e punonjësve dhe shërbimet publike.

Sindikatat kërkojnë që barra e reduktimit të deficitit buxhetor të mos rëndojë kryesisht mbi punonjësit dhe familjet me të ardhura të ulëta. Sipas tyre, një pjesë më e madhe e kontributit duhet të vijë nga shtresat me të ardhura të larta.

Në qendër të kundërshtimeve është edhe plani i qeverisë për të kursyer rreth 10 miliardë euro gjatë viteve të ardhshme, me synimin për të ulur deficitin publik, i cili kalon 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Përveç tubimit masiv, protesta dhe greva shkaktuan vështirësi të konsiderueshme në funksionimin e vendit. Transporti publik pësoi ndërprerje, ndërsa greva e kontrollorëve ajrorë solli anulime dhe probleme në aeroportet belge. Probleme u raportuan gjithashtu në shkolla dhe në disa shërbime të tjera publike.