Projektligji i ri i anti-duhanit përmban kufizime të forta për përdorimin e produkteve me nikotinë, një draft i plotë që zëvendëson ligjin aktual në fuqi prej 20 vitesh që vitet e fundit thuajse nuk është zbatuar fare, por për ekspertët do të ketë të njëjtin fat nëse nuk shoqërohet me fushata sensibilizuese.
“Ne bëjmë ndryshime ligjore. Do të dali ky ligj do të të hyjë në fuqi, dhe përsëri shitëset e pakicës, ato që shesin në markete nuk do të dinë nëse ka ndonjë ndryshim për ata apo jo. Pra kërkohen fushata ndërgjegjësuese në zbatim të ligjit”, thotë Roland Shuperka, eksperti i shëndetit.
Për ekspertin e shëndetit, Roland Shuperka, një prej kontribuuesve kryesorë në miratimin e ligjit të parë anti duhan në 2006-n, sfida kryesore nuk është miratimi i rregullave të reja, por zbatimi i tyre. Një këshillë të veçantë e ka për prindërit.
“Unë po ashtu do do t'i bëj thirrje të gjithë prindërve ë të kontrollojnë në mënyrë demokratike sjelljen e fëmijëve të tyre në lidhje me pirjen e duhanit”, tha ai.
Pasurimin e ndalesave kundër duhanit me draftin e ri, si cigaret elektronike dhe produktet alternative të nikotinës në një distancë prej 10 metrash nga kufiri i jashtëm i shkollave dhe spitaleve, për Shuperkën e vështirëson zbatimin në praktikë.
“Bëhet ndalimi i përdorimit të produkteve duhanit me djegie, produktet e avullit edhe produktet e nikotinës që të përdoren në një hapësirë 10 m larg kufirit të jashtëm të shkollave të spitaleve. Shqipëria ka një eksperiencë 20 vjeçare të përdorimit të ligjit anti-duhan dhe në masat. Ne akoma nuk e kemi arritur që ta ndalojmë në ambientet e brendshme, por ne po kalojmë tani edhe në ndalimin e përdorimit në ambientet e jashtme”, shton Shuperka.
Edhe korrupsioni në inspektime kërkon një përgjigje më të fortë.
Shuperka vuri pikëpyetje edhe për kufirin prej 4 miligramësh të nikotinës në qese, që përdoren si çamçakëz.
“Njëkohësisht vendos kufirin 4 mg të qeseve të nikotinës. Duhet të tregoj bazën shkencore ku e ka gjetur këtë 4 mg dhe ky është ligji i fortë ë dhe ligj është në përputhje me Bashkimin Evropian, sepse do nënshkruhet kapitulli 28, por jam plotësisht dakord që të jetë në përputhje, po mos të jetë më i kaluar”, thotë ai.
Projektligji, i hedhur për konsultim publik, parashikon gjithashtu ndalimin e shitjes së produkteve të duhanit dhe nikotinës përmes porosive online dhe shërbimit postar. Sipas relacionit, mungesa e një sistemi të besueshëm për verifikimin e moshës gjatë porosisë dhe dorëzimit krijon rrezikun që këto produkte të përfundojnë në duart e të miturve.












Komente
Komento