Rripi i Gazës po përballet me një katastrofë mjedisore që mund të kërcënojë shëndetin e popullsisë edhe për shumë vite pas përfundimit të luftës. Një raport i organizatës ndërkombëtare Oxfam paralajmëron se më shumë se 99% e sipërfaqes së tokës në enklavë paraqet shenja ndotjeje, me praninë e metaleve të rënda, azbestit, mbetjeve shpërthyese dhe substancave të tjera të rrezikshme.
Studimi, i realizuar në bashkëpunim me Observatorin e Konfliktit dhe Mjedisit, me bazë në Britani, mbështetet në imazhe satelitore, analiza hapësinore dhe të dhëna të tjera për të vlerësuar dëmet mjedisore të shkaktuara nga bombardimet dhe shkatërrimet gjatë luftës.
Sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), operacionet ushtarake kanë prodhuar më shumë se 61 milionë tonë rrënoja në Gaza. Rreth 15% e tyre konsiderohen me rrezik të lartë për ndotje nga materiale të rrezikshme.
Në këto mbetje përfshihen materiale ndërtimi, azbest, metale të rënda dhe mbetje eksplozive, të cilat mund të përhapen në tokë dhe në burimet ujore. Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i zgjatur ndaj substancave të tilla mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, dëmtime të organeve dhe të rrisë rrezikun për disa lloje kanceri.
Një tjetër faktor që po e përkeqëson krizën është paralizimi i sistemit të trajtimit të ujërave të zeza. Gjashtë impiantet në Gaza raportohen jashtë funksionit, duke bërë që ujërat e patrajtuara të përfundojnë në tokë, në ujërat nëntokësore dhe në Detin Mesdhe.
Situata bëhet edhe më e rëndë gjatë reshjeve të dendura, kur ujërat e shiut përzihen me ujërat e zeza në rrugë dhe në kampet ku strehohen palestinezët e zhvendosur.
Mjekët në Gaza raportojnë shtim të infeksioneve të frymëmarrjes, problemeve të lëkurës dhe sëmundjeve gastrointestinale, të lidhura me ndotjen, mungesën e ujit të pijshëm dhe kushtet e vështira higjienike.
Një dermatolog palestinez i ka deklaruar BBC-së se rastet me sëmundje kronike të lëkurës janë rritur pesëfish që prej fillimit të luftës, duke e lidhur këtë zhvillim me ndotjen dhe mbipopullimin në kampet e të zhvendosurve.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te shëndeti i banorëve. Ndotja e tokës dhe ujërave po vështirëson edhe prodhimin e ushqimit, ndërsa fermerët dhe peshkatarët raportojnë pengesa në aktivitetin e tyre.
Vlerësimi i plotë i dëmeve mbetet i vështirë, pasi shumë laboratorë janë shkatërruar dhe hyrja e pajisjeve të specializuara për matjen e ndotjes është e kufizuar. Kjo e bën më të vështirë përcaktimin e shkallës së ekspozimit dhe të pasojave afatgjata për popullsinë.
Drejtori ekzekutiv i Oxfam International, Amitabh Behar, ka akuzuar Izraelin për atë që e cilëson si “krime lufte mjedisore”. Ai paralajmëron se shkatërrimi i mjedisit në Gaza ka dëmtuar rëndë kushtet bazë për jetesën dhe mbijetesën e popullsisë.

