Seanca gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës të martën në Gjykatën e Posaçme, pritet me interes jo vetëm në aspektin penal ndaj tij.

Trupa gjykuese pritet t’i japë përgjigje dhe një kërkesë të Erjon Veliajt për të bërë ndërhyrjen kirurgjikale në këmbën e krisur, në Tiranë, në një spital të zgjedhur prej tij, dhe jo në Spitalin Memorial të Fierit siç ia caktoi Drejtoria e Burgjeve, dhe që vetë ai e refuzoi ta kryejë këtë të hënë.

Për detajimet e kësaj seance, në të cilën kryetari i Bashkisë pritet të mos jetë i pranishëm fizikisht, edhe për shkak të gjendjes shëndetësore, siç më herët ka deklaruar, avokati i tij Plarent Ndreca, kërkoi ta vizitojë në paraburgimin e Fierit, por takimi nuk iu mundësia.

Për Report TV Ndreca tha se përgjigja se nuk mund të lejohej të hynte në ambientet e burgut i ishte dhënë përmes telefonit dhe jo me shkrim.

“Në fakt u bë një orë e gjysmë që jam këtu duke pritur për të takuar klientin. Nuk po lejohem dhe vazhdon akoma e njëjta histori që ‘nuk kemi forca policore dhe njerëz për të shoqëruar’. Argumentin ma dhanë me telefon, jo me shkrim. Ndërkohë që ligji parashikon se hyrja e avokatit ndodh në çdo kohë. Vazhdon paligjshmëria e veprimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kufizimi i takimeve edhe me avokatin. Unë nesër kam një seancë gjyqësore dhe duhet të takohesha patjetër me klientin. 1 orë e gjysmë në pritje siç e shihni dhe nuk lejohem. Asnjë bazë ligjore, asnjë përgjigje zyrtare. Kërkoj të mbajnë procesverbal për këtë fakt. As procesverbal nuk japin", tha mes të tjerash Ndreca.

Duke e cilësuar situatën skandaloze, Ndreca tha se ky është një cenim i rëndë i standardeve të mbrojtjes dhe i të drejtës të të paraburgosurve, në shkelje të standardeve europiane.

"Një situatë skandaloze dhe një situatë që nuk e meriton shteti shqiptar që të shkojë në këto nivele që s’kanë asnjë përputhje e asnjë lidhje me asocimin dhe standardet europiane. Kjo është një situatë e paprecedentë. Një cenim i rëndë i standardeve të mbrojtjes dhe cenim i rëndë i të drejtës së klientit tim, për çdo të paraburgosur, apo i çdo personi nën hetim apo në cilësinë e të pandehurit, për t’u takuar në çdo kohë me avokatin e tij. Pra unë nuk kam asnjë mundësi të konsultohem dhe të flas me klientin për seancën e nesërme, duke dëmtuar edhe strategjinë që ne kemi për nesër, apo për komunikimin që kemi për një vendim të mundshëm apo potencial që Gjykata nesër mund të japë për zgjedhjen e spitalit nga Veliaj", shtoi Ndreca.

Për këtë situatë, ndër rreshta, përgjegjës bën edhe kryeministrin Edi Rama.

Ai ripërsëriti se për vendimin, Burgu i Fierit nuk kishte mbajtur procesverbal, por përmes telefonit i kishte argumentuar se duke qenë se sot është ditë pushimi (pasi dje qe ishte e diel, ishte festa e Alfabetit), nuk kishin njerëz mjaftueshëm në punë për ta shoqëruar.

"Këtë situatë unë e konsideroj institucionale. Një sjellje e rëndë e paligjshme institucionale. E një institucioni në varësi të qeverisë, të kryeministrit, i cili ka bërë ato deklarata që ka bërë në Asamblenë Kombëtare dhe të Tiranës. Ja ku është prova që standardet nuk janë ato që thotë Rama. Ja kush është standardi. Avokati në 2026-ën nuk lejohet të hyjë e të takojë klientin e tij. Një e drejtë bazike që besoj se edhe vendet që janë pa asnjë pretendim për të hyrë në Europë, besoj se i respektojnë. Unë po pres edhe pak, jam i detyruar të kthehem në Tiranë. Është konsumuar ky udhëtim dhe unë nuk kam arritur të bëj takimin për të cilin erdha. Përgjigje ka me telefon, por nuk bëjnë një procesverbal”, tha mes të tjerash Ndreca.

Më herët gjatë ditës, Plarent Ndreca e konsideroi një goditje politike nga kryesocialisti përjashtimin e tij nga drejtimi politik i Kombinatit, ku theksoi se Rama e ka kthyer partinë 35 vite pas, duke u përpjekur të imponojë vendime e anashkalojë strukturat.

Përplasja e Ramës me Veliajn kulmoi pas transferimit të tij nga paraburgimi i Durrësit në Fier, deri në pretendime për kërcënime të cilat kreu i qeverisë i quajti sajesa nga dyshja Veliaj-Ndreca.