Avokati Plarent Ndreca ka denoncuar pengesat për takimin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit. Sipas tij, prej rreth një ore e gjysmë ndodhet në pritje, por nuk po i lejohet të hyjë për të takuar klientin e tij.
Ndreca u shpreh se kjo situatë është përsëritur edhe në raste të tjera, veçanërisht kur vizitat përkojnë me fundjavat apo ditët e pushimit zyrtar.
Ai paralajmëroi se do t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar ndërhyrje lidhur me atë që e cilësoi si shqetësim për gjendjen shëndetësore të Veliajt.
“Vazhdon kjo historia, gjejnë arsye të ndryshme, sa herë ndodh që duhet të vij në ndonjë fundjavë ose pushim zyrtar. Sot do të kthehem në Tiranë, por nesër do t’i kërkoj gjykatës ndërhyrjen për gjendjen shëndetësore të të Veliajt dhe do t’ia transmetoj edhe Gjykatës”, deklaroi avokati Ndreca.













