VIDEO-‘Dosjet janë prova dhe dëshmi për Ramën’/ Peka: Po shkojmë drejt agravimit të situatës penale

18:55, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avenir Peka, paralajmëroi zhvillime të reja në çështjet penale, duke theksuar se dëshmitë dhe provat që mund të dalin nga këto dosje mund të çojnë deri te kryeministri Edi Rama.

I ftuar në emisionin ‘Task Forcë’, me Sonila Meçon në SYRI TV, Peka u ndal fillimisht te çështja e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kërkesa e tij në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që Rama të jetë nën presionin e faktorëve të tjerë për të ndërhyrë në favor të Veliajt dhe për ta nxjerrë atë nga burgu, pavarësisht përplasjes së njohur mes tyre.

Eksperti vlerësoi se zhvillimet që përfshijnë Veliajn dhe Ballukun mund të krijojnë probleme të mëdha për kryeministrin në javët dhe muajt në vijim.

Sipas Pekës, dosjet që përfshijnë emra të rëndësishëm të qeverisë dhe pushtetit vendor mund të sjellin një përshkallëzim të situatës penale dhe të vendosin Edi Ramën përballë zhvillimeve të reja.

‘Ka faktorë që janë përtej Ramës dhe Veliajt, të cilët i kanë kërkuar Ramës t’ia bëjë këtë nder Veliajt, pra ta nxjerrë nga burgu. Në këtë aspekt, këto zhvillime nuk janë kundërshtuese me njëra-tjetrën. As armiqësia mes tyre dhe as fakti që mund të jenë duke bërë një lojë nuk e përjashtojnë këtë mundësi.

Ajo që po them unë është se, duke qenë se Veliaj e ka dërguar çështjen në Strasburg, dhe duke qenë se rastet e burgimeve të paligjshme trajtohen nga kjo gjykatë në mënyrë ad hoc, me procedura të përshpejtuara, brenda 30, 60 apo 90 ditësh, ai duhet të provojë disa elemente për të fituar çështjen.

Sipas meje, Veliaj duhet të vërtetojë jo vetëm se ndaj tij ka pasur keqtrajtim, që mund të klasifikohet në kuadër të torturës, por edhe se në çështjen e tij ka pasur ndërhyrje politike.

Dhe ndërhyrja politike nuk mund të provohet në gjykatë përmes teorive konspirative, si ato që mund të diskutojmë ne në studio. Ajo provohet përmes rasteve konkrete: kur avokati shkon dhe nuk e lejojnë të takohet me klientin, përmes letrave publike që ai dërgon dhe përmes pasqyrimit mediatik.

Tani, pjesa e përplasjes mes tyre është reale. Edhe çështja e Bashkisë së Tiranës dhe produkti i saj janë realë. Por kjo mund të funksionojë nëse gjërat ecin në mënyrë të qetë deri në zgjedhjet lokale. Unë nuk shoh që për Ramën gjërat të shkojnë në mënyrë të qetë deri atëherë, sepse, sipas mënyrës se si i shoh unë zhvillimet, në javët dhe muajt në vazhdim, për shkak të çështjeve që po dalin në pah, Rama do të ketë aq shumë probleme dhe shqetësime, saqë gjëja e fundit për të cilën do të mendojë do të jetë e ardhmja e Bashkisë së Tiranës.

Për një gjë jam i bindur: ne do të shkojmë drejt përkeqësimit të situatës penale për emrat e përmendur, Ballukun, Veliajn dhe të gjithë të tjerët. Të gjitha këto çështje janë paradhoma që çojnë te Edi Rama, qoftë përmes dëshmive, qoftë përmes provave.

Marrim dosjen AKRE. Ajo shtrihet në katër shtete: Francë, Izrael, Gjermani dhe Shqipëri. Kur flasim për një organizatë kriminale dhe për përfshirjen e drejtueses së shërbimit, çështja merr përmasa të mëdha dhe mund të çojë pikërisht edhe te Edi Rama, i cili e ka promovuar dhe emëruar atë në këtë detyrë.

 

Historia e Ballukut nuk ka përfunduar. E kemi thënë dhe e kemi përsëritur. Ajo do të përballet me një kërkesë të dytë për heqjen e imunitetit.’, tha Avenir Peka në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco