Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit, duke mbledhur propozimet e strukturave lokale për kandidatët që do të përfaqësojnë opozitën në garën për drejtimin e bashkive. Megjithëse procesi i propozimeve pritet të përfundojë të hënën e ardhshme, në skenën politike kanë filluar të qarkullojnë emrat e parë të kandidatëve të mundshëm.
Mes tyre spikasin edhe 3 deputetë demokratë, të cilët mund të heqin dorë nga mandati parlamentar për t’u përfshirë në garën vendore. Gjin Gjoni përflitet si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Lezhës, Elda Hoti për bashkinë Kurbin, ndërsa Xhelal Mziu duket se ka nisur përgatitjet për një rikthim në garën për drejtimin e Bashkisë së Kamzës.
Në disa bashki të tjera, Partia Demokratike pritet t’u besojë sërish kryetarëve aktualë. Fisnik Qosja në Kavajë, Albert Mëlyshi në Mirditë dhe Miftar Dauti në Has janë emrat që pritet të kërkojnë një tjetër mandat në krye të institucioneve vendore.
Lista përfundimtare e kandidatëve mbetet ende e hapur, ndërsa propozimet e degëve do të përcaktojnë emrat që do të përfaqësojnë demokratët në përballjen e ardhshme elektorale.
Emrat e propozuar nga degët e PD-së:
Tiranë: Ilir Alimehmeti
Lezhë: Gjin Gjoni (deputet akutal)
Kurbin: Edmond Shkoza, Kastriot Piroli, Behar Haxhia, Elda Hoti (deputete akutale)
Durrës: Ardian Gashi
Berat: Parid Mahmutaj
Kukës: Rrahman Demaj
Tropojë: Feride Rrahmanaj
Krujë: Aulon Kalaja
Kamëz: Xhelal Mziu (deputet aktual)
Tepelenë: Albert Malaj
