Në konferencën për shtyp para përballjes me PSV-në, ndër të tjera, Thibaut Courtois i doli në mbrojtje shokut të skuadrës Vinicius Junior, i cili nuk po kalon aspak një moment të mirë.
Portieri belg tha se është e vështirë të ruash gjithmonë të njëjtën formë të mirë dhe të jesh gjithmonë një ‘numër 9’ apo një ‘numër 10’. Këtë gjë sipas tij e kanë bërë vetëm dy lojtarë, Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi.
“Ne e mbështesim njëri-tjetrin. Nuk ka nevojë për ndonjë trajtim të veçantë apo më të afërt ndaj tij. Vinicius Junior është kritik ndaj vetvetes dhe e di që duhet të punojë. Nuk mund të jesh gjithmonë një ‘numër 9’ apo një ‘numër 10’. Vetëm Messi apo Cristiano ia kanë dalë ta bëjnë këtë. Është diçka që lidhet me gjendjen mendore. E shoh më të gjallëruar. Ai duhet të ndihet i lirë, të shijojë futbollin e tij. Kur luan kështu, ai është më i mirë. Nëse duam të jemi konkurrues, kemi nevojë për Vinin në formën e tij më të mirë”, tha belgu.







