Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mund të mbyllin të gjithë kapitujt e negociatave për të kaluar më pas te traktati i anëtarësimit. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të zhvilluar më 23 nëntor në Athinë. Sipas tij, 23 vite pas premtimit që BE-ja u dha vendeve të rajonit në Samitin e Selanikut, anëtarësimi i vendeve të para të Ballkanit Perëndimor po afrohet.
“Jemi tani në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria”, deklaroi Blanar.
Ai shtoi se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do t’u tregonte qytetarëve të rajonit se anëtarësimi është realisht i arritshëm, ndërsa njëkohësisht do të forconte sigurinë e Europës. Përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet të mërkurën, më 25 nëntor, në Bruksel, ministri sllovak theksoi se zgjerimi nuk është më thjesht një proces teknik, i bazuar në rregulla, por po kthehet gjithnjë e më shumë në një çështje politike që kërkon konsensus. Për këtë arsye, ai u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të mos i përfshijnë mosmarrëveshjet dypalëshe në procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate.
“Çështjet e ndryshme që vijnë nga e kaluara dhe që mbeten ende të pazgjidhura duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave në Bruksel. Ky është edhe qëllimi i integrimit, të forcohemi dhe të ndërtojmë një bashkësi të aftë për t’u përballur me sfida të ndryshme”, deklaroi Blanar.
