Dy profesoresha të Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren pretendojnë se janë perballur me kanosje nga kolegu i tyre në hapësirat e këtij institucioni.

Rrezarta Ramadani-Hyseni dhe Vjollca Dibra-Ibrahimi, thonë se me 12 maj 2025 dhe 16 maj të të njëjtit vit, janë kanosur fizikisht e janë kërcënuar nga Shkelqim Millaku, profesor i lëndëve në Morfologji dhe Sintaksë.

Përkundër se me 23 tetor 2026, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur një aktakuzë ndaj profesorit për dy vepra penale të kanosjes, ky i fundit po vazhdon punën atje pa ndonjë telashe.

Profesoresha Vjollca Dibra-Ibrahimi, thotë se as Këshilli i Etikës e as organet e Drejtësisë nuk kanë marrë ndonjë masë sigurie, ani pse kërcënimet sipas tyre po vazhdojnë.

“Kemi një heshtje administrative, që na çudit të dyjave, si ska një reflektim institucional, poashtu edhe nga Gjykata, tani bëhen edhe një muaj nga aktakuza dhe s’ka asnjë ftesë për seancën e parë”, ka thënë Dibra-Ibrahimi.

Për moscaktimin e shqyrtimit fillestar, Televizioni Dukagjini ka kërkuar sqarime nga Gjykata Themelore në Prizren.

Për të ditur arsyen e kësaj, Televizioni Dukagjini ka pranuar një përgjigje nga Gjykata Themelore e Prizrenit, sipas të cilës, lënda i është ndarë gjyqtarit të rastit dhe ende nuk është caktuar shqyrtimi fillestar, për shkak se nuk po konsiderohen lëndë me prioritet ligjor, për shkak se sipas tyre, të dëmtuarat nuk janë karakterizuar sikur viktima të ndjeshme.

Por Dibra-Ibrahimi thotë se, përveç mungesës së një seance gjyqësore, deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim me to për të vlerësuar sigurinë e tyre.

“S’kemi asnje sqarim, as per konsultim, asnje takim per te na pytur a jemi te sigurta apo jo”.

Për vazhdimin e angazhimit të Millakut në mësimdhënie, Televizioni Dukagjini ka kërkuar përgjigje nga Universiteti “Ukshin Hoti”.

Këta bënë me dije se çështjen e kanë ende në shqyrtim, dhe sipas përgjigjes me shkrim, palët e përfshira do të marrin vendimin e arsyetuar më 28 nëntor të këtij viti.

Deri në marrjen e këtij vendimi, marrëdhënia e punës dhe angazhimi i profesorit në mësimdhënie mbeten të pandryshuara, për çka Universiteti tha se vendimi do të merret nga organi komeptent, bazuar në dokumentacionin dhe rregullat e zbatueshme.

Por, pretendimet e profesoreshës Vjollca Dibra-Ibrahimi, ishin trajtuar edhe më herët nga Këshilli i Etikës i këtij universiteti.

Në vendimin e 6 shkurtit, 2026, Këshilli kishte hedhur poshtë pretendimet e saj, duke përmendur mungesën e provave që profesoresha kishte deklaruar se i posedonte.

Në mesin e dokumenteve të kërkuara ishin raporti i Policisë së Kosovës dhe deklaratat e shkruara të dëshmitarëve okularë, të cilat sipas Këshillit, nuk ishin dorëzuar brenda afatit ligjor.

Po ashtu, Këshilli kishte vlerësuar se raporti mjekësor nga profesoresha ishte vetëm kopje e skanuar, pa certifikim dhe pa verifikim autenticiteti.

Televizioni ka kontaktuar edhe me Millakun, i cili i ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij.

“Pretendimet e kolegeve qe po mendojne qe une po i bej shantazh apo kercenim, nuk qendrojne por perkundreazi, prokuroia e ka hedh poshte kallezimin penal te zonjes Dibra qe thote se po na bene shantazh, zonja Dibra ne emer te tyre ka bere kallezim penal. Une e siguroj edhe zonjen Dibra qe e kam pranu une profesoreshe, edhe zonjen Rrezarta, te mos mirren me kete teme, asnjehere ne jeten time nuk e kam pas kulture, me pas kesi bisedash”, ka thënë Millaku.

Televizioni, pas pyetjeve të dërguara, ka pranuar edhe përgjigjet e Prokurorisë Themelore në Prizren, ku rezulton se Millaku, ka edhe një aktakuzë për një rast të lëndimit të lehtë trupor, të ngritur më 27 tetor 2026.

Ndërkohë, në lidhje me pretendimet e ngritura për shantazh, prokuroria ka konfirmuar se ka nxjerrë aktvendim për hudhjen e kallëzimit penal, meqë sipas tyre, nuk kishte konstatuar dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale.