Një magazinë që nga jashtë nuk ngjallte asnjë dyshim, por që pas një hyrjeje të kamufluar fshihte një aktivitet të tërë kriminal nëntokësor. Në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, në Shkodër, policia ka zbuluar një laborator nentoke, të përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit. Gjatë kontrolleve në dy objekte, uniformat blu zbuluan në njërën prej magazinave një hyrje të kamufluar që të çonte në një strukturë nëntokësore, të ndarë në dy ambiente. Njëri përdorej për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa tjetri ishte përshtatur për përpunimin e lëndës narkotike.