Lajmi i fundit

LIVE/ Vijon protesta qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e Ramës

VIDEO/ ‘Rama i trembet një fronti kundër tij’, Zhulali: Po përdor SPAK-un për goditje ndaj atyre që mund të ngrenë krye në PS

19:53, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor SPAK-un për të goditur figura brenda Partisë Socialiste që mund të dalin kundër tij dhe të bëhen pjesë e një fronti të përbashkët politik.

E ftuar në emisionin “Ora 19” në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, Zhulali u ndal te përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, si dhe te zhvillimet e fundit që lidhen me Elisa Spiropalin. Sipas saj, ai po përpiqet të neutralizojë çdo faktor që mund të sfidojë kontrollin e tij brenda PS-së dhe të krijojë aleanca të reja kundër tij.

Duke komentuar situatën në Bashkinë e Tiranës, Zhulali tha se përplasja mes njerëzve të vendosur nga Rama dhe atyre të Veliajt e ka kthyer institucionin në një strukturë jofunksionale. Ajo theksoi se përgjegjësinë politike për këtë situatë e mban Partia Socialiste, e cila kontrollon si bashkinë, ashtu edhe Këshillin Bashkiak.

Sipas saj, kjo gjendje do të sjellë kosto elektorale për PS-në, ndërsa mosfunksionimi i institucionit ka dëmtuar edhe mekanizmin e patronazhimit dhe të presionit mbi votuesit.

Zhulali theksoi se Rama po përballet me disa faktorë të brendshëm që po shfaqen njëri pas tjetrit. Sipas saj, Erion Veliaj duket se ka kaluar nga përplasjet përmes mesazheve dhe kodeve në një luftë të hapur politike, ndërsa zhvillimet rreth Elisa Spiropalit përbëjnë një tjetër sfidë për kryeministrin.

‘Po, së pari, Erion Veliaj, përpara se të hyjë në procesin zgjedhor, sigurisht që i ka bërë mirë llogaritë. Nëse ka ndërmend të zhvillojë një luftë reale politike, pra të veprojë si një aktor politik dhe jo thjesht si vartës i Edi Ramës, atëherë duhet ta provojë peshën e tij politike, qoftë edhe nga burgu. Dhe këtë peshë duhet ta dëshmojë në procesin zgjedhor.

Ka mënyra të shumta se si mund ta shfaqë këtë, duke nisur, për shembull, me faktin se prej kaq kohësh Bashkia e Tiranës ka mbetur peng i përplasjes mes njerëzve të vendosur nga Edi Rama dhe atyre që ka vendosur Erion Veliaj. Por, në fund të ditës, Bashkia e Tiranës është sot një institucion jofunksional, pavarësisht se kujt do t'i shkojë nesër përgjegjësia për këtë pakënaqësi.

Në fund të fundit, ekziston një aktor përgjegjës, që është Partia Socialiste. Kjo përkthehet drejtpërdrejt në një goditje për PS-në. Çdo shërbim që ofron sot Bashkia e Tiranës është problematik dhe faturën për këtë, patjetër, do ta paguajë Partia Socialiste. Pavarësisht emrave që mund të vendosë Edi Rama në garë, askush nuk mund të justifikohet me pretendimin se kjo bashki është drejtuar nga një forcë tjetër politike. Përkundrazi, Partia Socialiste kontrollon jo vetëm bashkinë, por edhe Këshillin Bashkiak.

Pra, përgjegjësia, qoftë e Ramës apo e Veliajt, në këtë rast mbetet te Partia Socialiste dhe kjo do të përkthehet në kosto elektorale.

Elementi tjetër është se, për sa kohë ky institucion nuk funksionon realisht, nuk ka as mundësi të ushtrojë presion dhe të vërë në përdorim mekanizmin e shantazhit përmes patronazhimit. Në raste të tjera, siç e kemi parë, ky është një mekanizëm shumë i sofistikuar, që funksionon pothuajse si një orë zvicerane, sepse detyrat janë të ndara qartë: kush bën çfarë, në emër të kujt dhe si përkthehet më pas kjo në vota.

Sot ky mekanizëm ka hallka të prishura dhe, për rrjedhojë, nuk mund të funksionojë si më parë. Nuk mund të ushtrohet më i njëjti presion mbi votuesit, të bëhet tjetërsimi apo grumbullimi i votave përmes zinxhirit që ka funksionuar deri dje.

Edi Rama e di shumë mirë se kjo do t'i kushtojë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor që kemi përpara. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rast se krijohet një front i përbashkët opozitar, ku Partia Demokratike të bashkohet me të gjitha partitë e tjera dhe individët që deri dje kanë qenë të pavendosur se për kë do të votonin, apo që sot janë në shesh dhe përbëjnë një faktor protestues opozitar. Të gjithë këta mund të bashkohen rreth një kandidati të vetëm për Bashkinë e Tiranës apo edhe për bashkitë e tjera.

Këta janë dy elementët që Edi Rama e di se i ka problematikë. Prandaj, sipas meje, ai po përdor SPAK-un për goditje të brendshme, përfshirë edhe ndaj Elisa Spiropalit, me qëllim që të mos lejojë krijimin e aleancave të tjera. Krah Erion Veliajt mund të bashkohen edhe të tjerë që ndodhen në pozita të ngjashme me të.

Po sikur të mos kishte asgjë tjetër, koha i tradhton të gjithë. Fakti që u zgjodh pikërisht kjo kohë për të hapur një dosje ndaj saj tregon shumë. Kjo mund të ishte bërë disa muaj më parë, një vit apo edhe dy vite më parë, pasi Elisa Spiropali nuk ka ushtruar ndonjë funksion tjetër të veçantë gjatë këtyre muajve dhe as bashkëshorti i saj nuk ka marrë ndonjë detyrë të re të rëndësishme.

E vetmja gjë e veçantë që ka ndodhur është se Elisa Spiropali ka vendosur të bëjë një lloj opozitarizmi brenda Partisë Socialiste dhe, në një farë mënyre, kërkon të marrë edhe lidershipin e një fraksioni apo të një çarjeje brenda PS-së, e cila në fakt po ndodh.

Deri tani, zërat e tjerë janë të heshtur. Ata komunikojnë me njëri-tjetrin; disa prej tyre janë shprehur edhe publikisht, veçanërisht ata që nuk bëjnë pjesë në rrethin e ngushtë të ushtrimit të pushtetit. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ky rreth të jetë në zgjerim.

Duke goditur drejtpërdrejt Elisa Spiropalin, e cila njihet edhe për marrëdhënien e saj të veçantë me Edi Ramën, goditet një figurë që ka pasur një raport të afërt me kryeministrin. Ajo ka marrë përsipër edhe koston e deklaratave të saj të mëparshme, me lavdërime për Edi Ramën që, në disa raste, nuk kanë qenë thjesht hiperbolike, por ekzagjerime të pamenduara. Megjithatë, ajo ka marrë përsipër edhe koston e këtij ndryshimi politik që po shfaqet tani, të paktën sipas asaj që po shohim.

Edi Rama duhet me doemos ta neutralizojë këtë situatë, sepse po krijohen disa faktorë njëri pas tjetrit. Pas Erion Veliajt, i cili duket se ka vendosur tashmë të zhvillojë një luftë të vërtetë politike, vjen edhe ky zhvillim i ri. Nëse deri vonë Veliaj luante përmes mesazheve dhe kodeve mafioze, tani duket se ka kaluar në një tjetër fazë të përplasjes.’ u shpreh Ilda Zhulali në SYRI TV.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco