Një rast diskriminimi është konstatuar në zyrën vendore arsimore të Kamzës ndaj babit të një vajze në klasë të dytë, të cilit i është hequr e drejta e aksesit në regjistrin online SMIP pas divorcit. Ankuesi me iniciale A.K i është drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për shkak se i ishte ndaluar përdorimi i platformës digjitale për vajzën gjatë vitit shkollor 2025-2026. Shkolla ka deklaruar zyrtarisht se aksesi në SMIP, i është ndërprerë babait që prej datës së vendimit të Apelit për zgjidhje martesore, pasi ai “nuk ka kujdestarinë ligjore” dhe sistemi nuk pranon prindin që nuk ka kujdestari. Ankuesi pretendon se ndërprerja e aksesit është bërë vetëm për shkak të ndryshimit të statusit të tij nga "i martuar" në "i divorcuar", gjë që përbën trajtim të pabarabartë dhe diskriminim flagrant. Ai thekson se zgjidhja e martesës nuk ia heq apo kufizon përgjegjësinë prindërore dhe se asnjë vendim gjykate nuk ia ka ndaluar interesimin për arsimimin e vajzës apo aksesin në SMIP. Pas analizimit të shkresave dhe seancës, në 2 tetor komisioneri evidentoi formën e rëndë të diskriminimit dhe vendosi për marrjen e masave për rregullimin e pabarazisë dhe moskushtëzimin e dhënies së informacionit arsimor për fëmijën.