Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë rritur rezervat ujore në Kaskadën e Drinit, duke e çuar nivelin e liqenit të Fierzës në 261.09 metra. Ndërkohë, në qarkun e Kukësit moti i keq ka shkaktuar rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe dëmtime në rrugë e banesa.
Situata më problematike në Tropojë paraqitet në aksin Bajram Curri-Cërrnicë, ku shembja e bazamentit të rrugës ka bllokuar qarkullimin e automjeteve. Për të shmangur segmentin e dëmtuar, lëvizja po devijohet përmes aksit Sopot-Ura e Bujanit.
Ndërkohë, pranë Pikës Kufitare të Morinit, një kamion ka dalë nga rruga për shkak të lagështirës. Probleme janë raportuar edhe në disa fshatra të Kukësit, ku gurët dhe inertet e rëna në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin.
Drejtuesve të mjeteve u bëhet apel të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet ku janë evidentuar rrëshqitje dhe dëmtime të infrastrukturës.
Nga ana tjetër, prurjet e shtuara kanë ndikuar në rritjen e rezervave hidrike në Kaskadën e Drinit. Niveli i ujit në Fierzë ka arritur në 261.09 metra, duke mbuluar edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit.
Sipas Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), aktualisht nuk ka shkarkime në asnjë prej tre hidrocentraleve të kaskadës.

