Partitë politike ende nuk kanë zyrtarizuar emrat me të cilët do të synojnë drejtimin e bashkive, në zgjedhjet e 9 Majit. Në radhët e Partisë Socialiste kanë nisur të intensifikohen diskutimet për përzgjedhjen e kandidatëve, ndërsa mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe asaj të Tiranës kanë shtuar vëmendjen ndaj garës së ardhshme elektorale.
Tirana pritet të jetë një nga sfidat kryesore për socialistët. Brenda strukturave të mazhorancës qarkullojnë tre emra si alternativa të mundshme për drejtimin e kryeqytetit: ministri i Brendshëm Ervin Demo, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe drejtuesja politike e qarkut, Ogerta Manastirliu.
Rakip Suli përflitet për një tjetër kandidim në Kamëz, ndërsa Blerim Shera mund të rikandidojë në Vorë. Në Kavajë, një nga emrat që po diskutohet është ai i Arben Rugisë, aktualisht drejtor i spitalit, i cili shihet si një kandidaturë e mundshme e socialistëve për drejtimin e bashkisë.
Lëvizje priten edhe në Elbasan, ku ndryshimet e parashikuara në hartën territoriale mund të ndikojnë në konfigurimin e garës. Në rast të përfshirjes së Belshit dhe Cërrikut në Bashkinë e Elbasanit, një nga emrat që përflitet për të përfaqësuar mazhorancën është ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
Durrësi mbetet në fokusin e socialistëve për shkak të peshës së tij elektorale. Deputeti Ani Dyrmishi është një nga figurat që përmendet si kandidat i mundshëm për drejtimin e qytetit bregdetar. Pavarësisht emrave që po qarkullojnë në diskutimet e brendshme, deri më tani nuk ka vendime zyrtare për kandidaturat.
