NATO do të dislokojë një avion të sistemit të paralajmërimit të hershëm AWACS në Poloni, pas rënies së tre raketave ruse të tipit Kh-101 në territorin polak të premten. Vendimi synon të forcojë mbikëqyrjen dhe mbrojtjen ajrore në krahun lindor të Aleancës.

Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Pawel Zalewski, deklaroi se avioni do t’i mundësojë vendit një pamje më të plotë të situatës ajrore dhe reagim më të shpejtë ndaj kërcënimeve.

NATO ka në dispozicion 14 avionë të këtij sistemi, të pajisur me radarë që monitorojnë hapësirën ajrore dhe koordinojnë veprimet e forcave aleate. Aleanca po shqyrton gjithashtu masa të tjera për të forcuar mbrojtjen e Polonisë, në një kohë kur rriten shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të përhapet në territorin e vendeve anëtare të NATO-s.