Vuçiç paralajmëron grevë urie në rast arrestimi: Një milion njerëz do dilnin në rrugë për të më mbështetur

Rajon | 1 minutë më parë

Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar një reagim masiv në Serbi nëse autoritetet tentojnë ta arrestojnë, duke pretenduar se një milion njerëz do të dilnin në rrugë në mbështetje të tij.

Ish-presidenti serb, aktualisht kryetar i Partisë Progresive Serbe, deklaroi në një intervistë për televizionin Pink se nuk ka asnjë procedurë ligjore ndaj tij dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga jeta politike. Përkundrazi, ai tha se në rast arrestimi do të hynte në grevë urie.

“Ata menduan se do të largohesha dhe do të dorëzohesha, por kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh Vuçiç, duke shtuar se nuk ka arsye për të cilën mund të arrestohet.

Ai pretendoi se një arrestim i mundshëm do të sillte pasoja të mëdha politike dhe shoqërore, ndërsa e cilësoi veten si një makth për kundërshtarët e tij, edhe nëse përfundon në burg.

Gjatë intervistës, Vuçiç sulmoi gjithashtu Listën Studentore, duke e akuzuar se nuk është e interesuar për zgjidhjen e problemeve të vendit, por vetëm për të dëmtuar kundërshtarët politikë.

Sipas tij, kjo forcë ka marrë kontrollin mbi institucionet dhe rrugët, ndërsa pretendoi se policia nuk po ushtron funksionet e saj.

Vuçiç tha se një ditë më parë kishte marrë kërcënime me vdekje nga persona që i lidhi me atë që e quajti “klani i shtrigave”.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike në Serbi, ku përplasjet mes pushtetit dhe lëvizjeve studentore kanë nxitur akuza të ndërsjella. Megjithatë, paralajmërimi për një milion protestues dhe grevë urie shënon një tjetër përshkallëzim të retorikës së ish-presidentit ndaj kundërshtarëve të tij.

Gazetar: A.Mata          

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme