Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi flet për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, sigurinë e tij dhe kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë. I pyetur nëse Samiti i NATO-s mund të mos zhvillohet në Tiranë për arsye sigurie, ministri i hodhi poshtë këto pretendime, duke konfirmuar se kryeqyteti shqiptar do të jetë mikpritës i takimit të Aleancës. Shtoi se për kohën se kur mbahet Samiti, vendosin zyrtarët e Aleancës së Traktatit të Veriut.
“Nuk është e vërtetë që të mos mbahet Samiti i NATO-s në Tiranë për arsye sigurie. Do të mbahet Samiti, patjetër. Mund të shtyhet dhe sa duket do shtyhet, më 2028, por do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar. Rregullat njëherë në sa vjet mbahet Samiti vendosen nga NATO”, deklaroi Nufi në ”Tv Klan”.
Sa i përket buxhetit të Mbrojtjes, ministri u shpreh se Shqipëria ka në dispozicion fondin më të madh historik, ndërsa pjesa kryesore e investimeve do të shkojë për modernizimin e ushtrisë dhe shtimin e kapaciteteve ushtarake. “Ne kemi buxhetin më të madh historik, 10 miliardë euro. Ky është buxheti më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes, ku pjesa më e madhe shkon për modernizimin e ushtrisë shqiptare. Bëhet fjalë për dronë dhe flotë helikopterësh, kapacitete ushtarake që lidhen me forcat dhe komandat e ushtrisë”, deklaroi Nufi. I pyetur se çfarë mundësish ka Shqipëria për t’u mbrojtur në rast të një sulmi nga një shtet tjetër, ministri theksoi se vendi disponon kapacitete për të parandaluar avancimin e forcave armike në territorin shqiptar.
Nënvizoi se shpenzimet për Mbrojtjen duhet të jenë në raport edhe me nevojat e sektorëve të tjerë. “Nuk është e vërtetë që ne nuk bëjmë asgjë. Ne kemi kapacitete ushtarake për të parandaluar avancimin e forcave armike apo kundërshtare në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe janë në përputhje me Aleancën e NATO-s. A duhet të ishte e rëndësishme që të kemi më tepër shpenzime? Patjetër, por kemi pyetjen tjetër se përse paratë të mos shkojnë në arsim apo në fusha të tjera”, u shpreh ministri.
Sa i përket angazhimit të Forcave të Armatosura në shuarjen e zjarreve, Nufi theksoi se misioni i ushtrisë është shumë më i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm te emergjencat civile. Sipas tij, efektivët kanë qenë në shërbim të qytetarëve përmes ndërhyrjeve nga toka dhe ajri. “Forcat e Armatosura janë krenari për vendin. FA kanë bërë edhe punën e fikjes së zjarreve, por kanë edhe shumë punë të tjera. Kanë kryer fikje zjarri, duke iu shërbyer qytetarëve dhe duke i ndihmuar ata me operacione nga toka dhe nga ajri”, deklaroi Nufi.
