
Një rrjet tunelesh dhe hapësirash nëntokësore të zbuluara së fundmi, disa prej të cilave qindra metra të gjata, është nxjerrë në dritë gjatë gërmimeve nën Shën Sofinë në Stamboll, ndërsa pritet të zbulohen edhe të tjera.
Ky është një zbulim me rëndësi të madhe në një prej vendeve më të vizituara të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Bëhet fjalë për një strukturë madhështore të shekullit të gjashtë, e ndërtuar si kishë mbi një tempull romak, e cila më pas u shndërrua në xhami dhe më vonë në muze. Që nga viti 2020, ajo përdoret sërish si xhami.
Ndërtesa e sotme, vendi i katërt i adhurimit i ndërtuar në këtë hapësirë pas tempullit dhe dy kishave të mëparshme, u përfundua në vitin 537 pas Krishtit. Megjithatë, sipas njoftimit të së premtes nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë, besohet se disa pjesë të hapësirave të fshehura që po zbulohen tani i paraprijnë edhe kësaj ndërtese.
Vitin e kaluar nisi një projekt trevjeçar konservimi në Shën Sofi, i cili synon të restaurojë kupolën qendrore dhe të përmirësojë më tej rezistencën e ndërtesës ndaj tërmeteve. Ajo ka mbijetuar si Perandorinë Romake të Lindjes (ose Bizantine), ashtu edhe atë Osmane. Këto janë punimet më gjithëpërfshirëse të kryera në këtë vend gjatë afro 1 500 viteve të historisë së tij.
Thashethemet për tunele të fshehura nën Shën Sofi kanë vazhduar për shekuj me radhë, ndërsa infrastruktura nëntokësore, përfshirë një hipogje romake me katër dhoma, ose strukturë varrimi, u zbulua në vitet 1940.
Në fillim të vitit 2025, gjatë punimeve të pastrimit në bodrumet e harkuara që përbëjnë nivelin nëntokësor të asaj që dikur ishte oborri i atriumit të Shën Sofisë, u zbuluan struktura nëntokësore të panjohura më parë.
Deri tani janë larguar afro 3 000 ton mbetje
Që prej asaj kohe, po punohet për pastrimin, dokumentimin dhe ruajtjen e këtyre hapësirave. Ato përfshijnë tunele, kanale uji, dhoma me tavane të harkuara, një strukturë varrimi dhe një kalim që besohet se lidhet me një rrugë romake të shekullit të pestë.
Procesi i pastrimit është dokumentuar hap pas hapi përmes skanimit me lazer nga sipërfaqja e tokës dhe, ndërsa punimet përparojnë, “sistemi infrastrukturor i këtij monumenti unik të trashëgimisë botërore do të zbulohet në tërësinë e tij”, shkroi Hasan Fırat Diker, nga Komiteti Shkencor i Shën Sofisë, në një studim të publikuar në mars të vitit 2026, shkruan CNN.
Deri tani, nga infrastruktura nëntokësore janë hequr afro 3 000 tonë mbetje dhe janë pastruar 420 metra tunele (rreth një çerek miljeje). Ato mund të shtrihen edhe për disa kilometra të tjerë.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, inspektoi zonën dhe foli për mediat në një njoftim të bërë më 20 nëntor.
“Gjatë historisë, ky rrjet nëntokësor ka shërbyer për funksione të rëndësishme në shpërndarjen e ujit dhe kullimin e ujërave të shiut”, tha Ersoy në një deklaratë të përkthyer. “Përmes punës sonë, ndërsa zbulojmë strukturat nëntokësore të Shën Sofisë, po thellojmë gjithashtu njohuritë tona mbi infrastrukturën historike të menaxhimit të ujit në Stamboll.”
Shtresa të historisë
Deri tani janë zbuluar gjashtë dhoma, të lidhura përmes nëntë tuneleve. Në tunelin më të gjatë janë pastruar afro 180 metra. “Mendojmë se kjo linjë mund të lidhet me një rrugë romake. Ajo shtrihet paralelisht me fasadën hyrëse të Shën Sofisë, duke nisur përpara Medresesë Fatih dhe duke vazhduar drejt hyrjes së vizitorëve”, tha Ersoy.
Hipogjeu romak, ose struktura e varrimit, ndodhet nën zonën e Shën Sofisë të njohur si Kopshti i Vezirit. Punimet e pastrimit aty e çuan ekipin deri në një thellësi prej rreth 1,5 metrash nën dyshemenë e mbuluar me baltë. “Besojmë se kjo pjesë i përket një periudhe më të hershme se struktura e tanishme e Shën Sofisë”, tha Ersoy. “Në këtë mënyrë, po nxjerrim në dritë edhe shtresat e ndërtesave që ndodhen nën monument dhe që i përkasin periudhave të ndryshme.”
Përveç punimeve të konservimit dhe dokumentimit, synimi është “t’i bëjmë të dukshme pasuritë historike nëntokësore të Shën Sofisë”, duke hapur për publikun pjesët e përshtatshme, tha Ersoy, megjithëse nuk është njoftuar ende ndonjë afat kohor për këtë.
“Kjo do të ishte një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme të turizmit kulturor në Stamboll gjatë viteve të fundit”, thotë historiani dhe guida turistike Hasan Barış Partal. “Nën këtë monument madhështor fshihet një tjetër histori magjepsëse e Kostandinopojës Perandorake”, siç njihej atëherë Stambolli, si dhe e “rrjetit të gjerë të furnizimit me ujë të ëmbël të qytetit”.
Sipas tij, këto rrugë ujore nëntokësore mund të kenë qenë të lidhura me ujësjellësit e mëdhenj të qytetit antik dhe përbëjnë dëshmi intriguese të arritjeve të jashtëzakonshme inxhinierike të Kostandinopojës.
“Besoj se ecja nëpër këto hapësira nëntokësore mund të krijojë një ndjesi të ngjashme me zbritjen në Kriptat e Vatikanit, nën Bazilikën e Shën Pjetrit, ku janë varrosur shumë papë”, thotë Partal. “Megjithëse funksionet e tyre historike janë shumë të ndryshme, të dyja ofrojnë përvojën e jashtëzakonshme të zbulimit të një bote tjetër nën një monument ikonik.”
Shën Sofia e sotme u ndërtua me urdhër të perandorit Justiniani I, në kohën kur Kostandinopoja ishte zemra e Perandorisë Romake të Lindjes. Ajo u parapri nga dy kisha të tjera të ndërtuara në të njëjtin vend, të cilat vetë ishin ngritur mbi një tempull pagan.
Gjatë ndërtimit të saj pesëvjeçar, që nisi në vitin 523 pas Krishtit, Justiniani urdhëroi guvernatorët e provincave të tij të dërgonin në Kostandinopojë artefaktet më të çmuara nga rrënojat antike të territoreve të tyre, për t’u përdorur në Shën Sofi. Thuhet se kostot e ndërtimit arritën në rreth 75 milionë dollarë, ekuivalente me 1,3 miliardë dollarë në ditët e sotme.