Një 58-vjeçar, i pastrehë, është gjetur i vdekur brenda një tende që kishte ngritur përpara sheshit të Universitetit “La Sapienza”, në Romë.
Viktima është identifikuar si Alessandro Ingusci. Dyshohet se ai ka pësuar një gjendje të papritur shëndetësore, e cila i ka shkaktuar vdekjen.
Ingusci, i cili ndiqej nga shërbimet sociale, kishte shkruar në tabelën e një salle mësimore të Fakultetit të Fizikës se kishte hyrë në grevë urie. Ai kishte shënuar gjithashtu se ishte student i vitit të parë në këtë fakultet dhe se kishte një aftësi të kufizuar në masën 50%.
Në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë së Shtetit dhe ekspertët e policisë shkencore, të cilët kryen veprimet hetimore dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Trupi i pajetë i 58-vjeçarit iu vu në dispozicion mjekut ligjor për përcaktimin e shkakut të vdekjes.













