Moska ka ashpërsuar retorikën ndaj Estonisë, duke e akuzuar vendin anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian se po ndërmerr veprime që mund të çojnë në një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ministria e Jashtme ruse pretendon se Estonia i ka lejuar Ukrainës të përdorë në mënyrë të fshehtë hapësirën e saj ajrore për sulme kundër territorit rus. Talini i ka mohuar këto akuza, duke deklaruar se nuk lejon përdorimin e territorit estonez për operacione ushtarake ukrainase.
Përplasja diplomatike vjen pasi Estonia njoftoi planin për të mbyllur vendkalimet kufitare me Rusinë nga 1 dhjetori, për një periudhë fillestare prej të paktën gjashtë muajsh. Vendimi u mor pas akuzave të autoriteteve estoneze se shërbimet ruse të sigurisë kishin organizuar një tentativë zjarrvënieje ndaj një kompanie estoneze të mbrojtjes. Moska ka mohuar çdo përfshirje.
Në reagim ndaj vendimit për kufirin, Rusia thirri të ngarkuarin me punë të Estonisë në Moskë për t’i paraqitur një protestë zyrtare.
“Diplomatit estonez iu theksua sërish se veprime të tilla provokuese dhe jashtëzakonisht të rrezikshme janë në prag të shkaktimit të një lufte të hapur me Rusinë”, deklaroi Ministria e Jashtme ruse.
Përveç pretendimit për përdorimin e hapësirës ajrore nga Ukraina, Moska e akuzon Talinin edhe për përpjekje për të penguar lëvizjen e anijeve ruse të transportit në Detin Baltik, bllokimin e tranzitit të grurit bjellorus, kufizimin e përdorimit të gjuhës ruse dhe kërcënimin për mbylljen e Kishës Ortodokse Ruse.
Autoritetet estoneze i kanë hedhur poshtë akuzat për përfshirje në operacione ushtarake të Ukrainës, ndërsa tensionet mes dy vendeve po shtohen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përgatit një tjetër paketë sanksionesh kundër Moskës.
Komisioni Evropian ka propozuar paketën e 22-të të masave kufizuese ndaj Rusisë. Propozimi përfshin ndalimin e pjesëmarrjes në eventet sportive të organizuara brenda BE-së për sportistët që garojnë nën flamurin rus, si dhe kufizime vizash për ish-luftëtarët rusë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se masat e reja do të synojnë edhe institucionet financiare ruse dhe platformat e kriptomonedhave.
“Ne po godasim më fort mënyrat përmes të cilave Rusia financon luftën e saj”, deklaroi von der Leyen.
Ajo theksoi se paketa do të përfshijë edhe vende të treta që, sipas BE-së, ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet.
“Do të përqendrohemi te Rusia, por do të përfshijmë edhe vendet e treta që e ndihmojnë Rusinë t’u shmanget sanksioneve tona. Ky është një aspekt thelbësor i paketës sonë të re”, u shpreh ajo.

