Miku i Edonit zbulon prapaskenat: Fabregas ka vlerësim të lartë për Zhegrovën
Edon Zhegrova mund të ndryshojë skuadër gjatë merkatos së janarit, teksa interesim për të raportohet se ka shfaqur Como.
Sipas mediave italiane, klubi i drejtuar nga Cesc Fabregas e vlerëson profilin e futbollistit kosovar, ndërsa vetë trajneri spanjoll ka një mendim shumë pozitiv për talentin e tij.
Këto zëra janë përforcuar edhe nga deklaratat e aktorit kosovar Vedat Bajrami, mik i afërt i Zhegrovës, i cili në një intervistë për “TuttoJuve” tha se Fabregas ka shprehur personalisht vlerësimin për futbollistin.
“Edoni ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Fabregasin, i cili e vlerëson veçanërisht dhe ka një mendim shumë të lartë për talentin e tij. Ai madje ia ka thënë këtë personalisht”, deklaroi Bajrami.
Ndërkohë, 27-vjeçari nuk ka arritur ende të fitojë një vend të rregullt në formacionin e Juventusit, ku është aktivizuar kryesisht si zëvendësues. Megjithatë, në fitoren 4-0 ndaj Venezias, ai u aktivizua për herë të parë këtë sezon si titullar, luajti 90 minuta dhe dhuroi një asist.
Bajrami shpreson që Zhegrova të marrë më shumë hapësira në vazhdim, por pranon se e ardhmja e tij mund të diskutohet gjatë janarit. Deri tani, nuk ka asnjë ofertë apo marrëveshje zyrtare nga Como, ndërsa futbollisti synon fillimisht të bindë Luciano Spallettin se meriton më shumë minuta në Torino.




