VIDEO/ ‘Rama në pikën më të dobët të tij’, Shkullaku: Po eliminon këdo që i del përpara në PS

21:39, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke i lidhur ato me dobësimin politik të Edi Ramës dhe frikën e kryeministrit nga humbja e kontrollit mbi partinë.

Sipas Shkullakut, ndryshimet që po ndodhin në Shqipëri, veçanërisht dalja e mijëra qytetarëve në protesta dhe thyerja e frikës, kanë nxjerrë në pah një realitet të ri politik. Ai u shpreh se Rama, pavarësisht se ka dalë nga zgjedhjet me 84 mandate të PS-së dhe tre të PSD-së, ndodhet në pikën më të dobët të karrierës së tij politike.

Ai tha se protesta dhe dalja e njerëzve në rrugë kanë treguar një fuqi qytetare që më parë nuk mendohej se ekzistonte, ndërsa kanë zhvlerësuar edhe propagandën e kryeministrit dhe imazhin që ai ka ndërtuar përmes komunikimit publik dhe mediave të huaja.

Në analizën e tij, Shkullaku theksoi se e vetmja armë që i mbetet Ramës për të ruajtur pushtetin dhe për të negociuar politikisht është kontrolli mbi Partinë Socialiste. Për këtë arsye, sipas tij, kryeministri po godet çdo figurë apo zë brenda partisë që mund të vërë në pikëpyetje autoritetin e tij.

‘Ajo që doja të thoja është se atë që po ndodh në Partinë Socialiste duhet ta shikojmë nga këndvështrimi i ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri. Pra, kanë ndodhur disa gjëra që më parë nuk i kishim menduar se mund të ndodhnin.

Nuk kishim menduar ndonjëherë që sheshi i Tiranës do të nxirrte 100 mijë njerëz. Nuk e kishim menduar që Edi Rama, pikërisht në momentin kur dukej më i fuqishëm se kurrë, me 84 mandate plus 3 të PSD-së, pra 87 mandate, të ishte sot politikani më i dobët që ka pasur ndonjëherë, me fuqinë më të dobët politike. Flas politikisht, sepse fuqinë policore dhe ushtarake mund ta mbajë sa të dojë.

Pra, protesta e parë, thyerja e frikës dhe dalja e njerëzve në rrugë jo vetëm që treguan një fuqi që ne nuk e kishim menduar se ekzistonte, por, së dyti, e treguan Edi Ramën shumë të vjetër, shumë të tejkaluar dhe në dritën e tij të vërtetë.

Nëse propaganda, me ato syzet e kuqe, duket se i ka hequr tani, kur dilte dhe bënte podcastin çdo ditë e të tjera si këto, atëherë të gjitha elozhet që i bëheshin përmes mediave të huaja dhe propagandës që zhvillohet këtu janë zhvlerësuar në pikën zero.

Në këtë moment, Edi Rama sigurisht që ka sondazhe të brendshme. Unë mendoj, dhe ky është perceptimi im, pasi nuk kam ndonjë sondazh, se ai ndodhet ndoshta në pikën më të ulët historike të tij si politikan. Nëse do të bëhej një sondazh sot, mendoj se kjo do të ishte panorama.

Pse e bëra këtë parantezë? Për të kuptuar se e vetmja gjë që Edi Rama e mban në pushtet është ruajtja e Partisë Socialiste si një armë që ai mund ta përdorë në çdo kohë: si armë për negociim, si armë për të dëshmuar fuqinë e tij.

E gjithë kjo që po ndodh me Elisën, me Erion Veliajn dhe me Plarent Ndrecën, i cili nuk ka lidhje fare me Partinë Socialiste, tregon se këdo që i del përpara, ai e ekzekuton politikisht.

Pse? Sepse një deputete iku, ajo Neomalësia, iku zari. Njëherë nuk e mbajti Elisa në votim dhe zari iku. Pastaj filluan edhe disa zëra: ‘Çiu-çiu, nuk do ta votojmë reformën territoriale’. Dolën edhe disa të tjerë që pyetën: ‘Çfarë po ndodh me Erion Veliajn? Kush e transferoi?’. Pra, guxuan të pyesnin nja dy vetë në Partinë Socialiste.

Dhe nëse kjo hap një precedent dhe krijon efektin se sulltanit mund t'i drejtosh edhe pyetje, sepse këtë nuk e kishim menduar kurrë, që dikush mund të dalë dhe ta pyesë: ‘Pse e transferove Erion Veliajn?’ ose ‘Çfarë qëndrimi do të mbajmë ne ndaj protestës?’, atëherë kjo mund të krijojë një efekt të mëtejshëm.

Nëse shpërthen edhe një, po them, jo revoltë apo kryengritje në PS, sepse kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, por disa lëvizje, brishtësia, frika dhe paranoja e tij do të bëhen aq të mëdha, sa mund t'ia shpejtojnë fundin.

Ai e di një gjë: e vetmja armë me të cilën mund të negociojë, edhe në ditën e tij më të keqe, është Partia Socialiste. Nëse nesër do t'i kërkohej të largohej, ai do të përpiqej të ruante fuqinë brenda partisë. Prandaj, zërat që mund t'i krijojnë probleme do t'i eliminojë. Nuk do të lejojë asnjë element që mund t'i sjellë ndërmend dikujt në parti se autoriteti i tij mund të vihet në pikëpyetje.

Po të shikosh, të paktën sipas raportimeve të atyre që ishin brenda mbledhjes me dyer të mbyllura, gjuha e Ramës në Asamble ka qenë ekstremisht jo thjesht vulgare, por edhe represive, duke mos i dhënë askujt mundësinë të replikonte me të.

‘Kam thënë unë, kushdo përjashtohet’. Pra, edhe mënyra se si e përjashtoi, sepse nuk i kushtonte asgjë të thoshte: ‘Ngrini dorën kush është për përjashtimin e Elisës’. Por jo, ai tha: ‘Do të përjashtohet’, dhe e përjashtoi. Nuk u votua, nuk u bë asgjë tjetër. Pra, ai do të tregojë se kjo nuk është më koha kur dikush mund t'i kthejë fjalën.

Tani, çështja është se, si Elisa, si Çuçi, si SPAK-u, burrat e Elisës bëjnë tratativa. Por, në fund të fundit, duhet të mendojmë edhe për ata që janë në Partinë Socialiste, deputetët që janë anëtarë të Asamblesë. Mbase dikush duhet t'u thotë se dënimi me vdekje në Shqipëri është hequr. Zyrtarisht, duket se është hequr në vitin 1996. Pra, nuk i dënon njeri me vdekje dhe nuk besoj se familjet do t'ua marrin fëmijët e do t'i çojnë në internim.

Për mua, mendoj se është më e turpshme që në Partinë Socialiste edhe ata që nuk kanë vjedhur të marrin damkën e hajdutit. Pra, aty nuk ka më rëndësi nëse je hajduti i madh apo i vogël.’, u shpreh gazetari Armand Shkullaku në SYRI TV.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco