Një koalicion global me më shumë se 155 organizata dhe ekspertë për sigurinë e fëmijëve u bëri thirrje të hënën Amazon dhe eBay që të ndalojnë menjëherë shitjen e lodrave të pajisura me chatbot-e të inteligjencës artificiale (IA), për shkak të shqetësimeve mbi rreziqet që ato paraqesin për sigurinë dhe zhvillimin e fëmijëve.
Në një letër të hapur drejtuar drejtorit ekzekutiv të Amazon, Andy Jassy, dhe drejtorit ekzekutiv të eBay, Jamie Iannone, koalicioni u kërkoi kompanive të pezullojnë shitjen e lodrave që përmbajnë chatbot-e të IA-së gjeneruese dhe që u reklamohen fëmijëve nën moshën 16 vjeç, deri në momentin kur testime të pavarura të vërtetojnë sigurinë e tyre.
Koalicioni, ku bëjnë pjesë Fairplay, Alliance 4 Children dhe The Anxious Generation Movement, u kërkoi gjithashtu kompanive të paralajmërojnë klientët që i kanë blerë tashmë këto lodra dhe t’u ofrojnë rimbursim.
Në letër thuhej se kohët e fundit ishin identifikuar më shumë se 50 lodra me IA në platformën amerikane të Amazon, ndërsa në fund të tetorit ishin evidentuar 28 të tilla në platformën e saj britanike.
Disa produkte reklamoheshin për fëmijë deri në moshën trevjeçare, pavarësisht se lidheshin me chatbot-e për përdorim të përgjithshëm, të projektuara për përdorues më të rritur. Të tjera reklamonin funksione të tilla si klonimi i zërit dhe ndjekja e zhvillimit emocional të fëmijëve.
Koalicioni iu referua testeve gjatë të cilave lodrat me IA dhanë përgjigje të papërshtatshme seksuale dhe udhëzime që përfshinin shkrepëse dhe thika, ndërsa ngriti gjithashtu shqetësime për shkeljen e privatësisë.
Ai paralajmëroi gjithashtu se fëmijët mund të krijojnë lidhje emocionale të pashëndetshme me shoqëruesit e IA-së, ndërsa efektet afatgjata të këtyre marrëdhënieve në zhvillimin dhe shëndetin mendor të tyre mbeten të panjohura, shkruan AA.
«Siguria e këtyre produkteve duhet të provohet përpara se ato t’u jepen fëmijëve, dhe jo të hiqen nga tregu një nga një, pasi të jenë konstatuar dëmet», deklaroi koalicioni.
«Shitësit me pakicë kanë filluar t’i heqin lodrat me IA nga raftet një nga një, pasi u tërhiqet vëmendja për to, por kjo nuk mjafton», tha Rachel Franz, drejtoreshë e Programit për Zhvillimin e Fëmijëve të Vegjël Jashtë Mjedisit Online të Fairplay.
Koalicioni u kërkoi gjithashtu të dyja kompanive që të përgjigjen deri në Krishtlindje, në mënyrë që informacioni të mund t’u përcillet ligjvënësve dhe prindërve.
Kjo thirrje vjen në një kohë kur Kalifornia po përgatitet të vendosë një ndalim katërvjeçar për prodhimin dhe shitjen e lodrave shoqëruese me IA, të destinuara për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Ndalimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.