Vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë ishte e nevojshme për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij. Kështu ka deklaruar djali i tij, Altin Krasniqi, i cili ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj familjes gjatë kësaj periudhe.
Në një prononcim për KosovaPress, Altin Krasniqi bëri të ditur se vizita e babait të tij ishte e mirëpritur dhe e nevojshme, duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të nënës. Ai konfirmoi gjithashtu se Jakup Krasniqi gëzon shëndet të mirë.
“Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pasur nevojë, ka qenë për shkak të gjendjes së nënës, të cilës i falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur, gjithë qytetarët. Edhe babai ishte mirë me shëndet”, u shpreh ai për KosovaPress.
Jakup Krasniqi qëndroi për katër ditë në Kosovë, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dhanë leje për një vizitë për arsye të forta humanitare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdijes.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ish-kryeparlamentari dërgohej çdo ditë për disa orë në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku qëndronte pranë familjes dhe bashkëshortes. Ndërkohë, netët i kalonte në ambientet e selisë së EULEX-it në Fushë Kosovë.
E gjithë vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, me shoqërimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Pas përfundimit të vizitës humanitare, Krasniqi u kthye sërish në Hagë.
Kjo ishte vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë që nga arrestimi dhe transferimi i tij në Hagë, në nëntor të vitit 2020. Vizita e mëparshme ishte në tetor të vitit 2024, me rastin e vdekjes së vëllait të tij.
Kujtojmë se më 16 shtator 2026, Krasniqi u dënua në shkallën e parë me 25 vite burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.




























