Publicisti Veton Surroi, ka thënë se qasja e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, që ndodhen në Hagë, ka qenë e gabuar kur është thënë se nuk ka pasur strukturë udhëheqëse në UÇK, andaj edhe klientët e tyre janë të pafajshëm.
Surroi në emisionin “Konfront” ka thënë se një gjë të tillë e ka cekur edhe në takimet me ta.
Ai tutje ka thënë se si çështje themelore që duhet të trajtohet tani në instancën e Apelit është që nuk ka ekzistuar diçka e tillë si – ndërmarrja e përbashkët kriminale.
“Në bisedat edhe me avokatët e mbrojtjes e kam cekur se ka qenë e gabuar qasja e tyre në mbrojtje sepse strategjia e tyre që nga fillimi ka qenë që të shfajësojnë klientët e tyre nga roli komandues. Pra të thuhet se nuk ka ekzistuar një strukturë komanduese në UÇK prandaj klientët e tyre nuk janë fajtorë. Unë mendoj se kjo nuk ju ka bërë mirë atyre, klientëve të tyre, pra të dënuarve. Çështja themelore që mendoj se duhet të trajtohet në Apel është çështja e ndërmarrje së përbashkët kriminale sepse kjo në gjuhën juridike ka një tavan bukur të lartë për ta arritur, duhet të dëshmohet në një formë shumë më të elaboruar se nuk ka ekzistuar një veprim i tillë. Ne nga jashtë dhe kushdo që përpiqet nga cilido segment i shoqërisë të mendoj se mund të ndikojë në aktgjykim, e ka të gabuar”, ka deklaruar Surroi.
Tutje Surroi ka thënë se edhe vetë miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale u bë nën presionin e turmës dhe “shkel e shko” për shkak të protestave e kërcënimeve.
Edhe
Surroi: Po të bazohej në merita anëtarësimi në BE, Kosova do të ishte shtet kandidat shembull
Sipas Surroit janë vendosur disa precedentë të cilët nuk janë të mirë për shoqërinë sepse nuk duhet të jemi në situatën kur mjafton që një grumbull i njerëzve që ngrihet në protestë dhe të kalohen ligjet siç u kalua ai i Speciales.
“Ligji i mëparshëm u iniciua me protesta dhe kërcënim. Ai edhe u adoptua, u miratua në Kuvend të Kosovës në bazë të kërcënimit të turmës. Në bazë të rrëfimeve të mëpastajme, ne mesin e njerëzve që kanë kërkuar të miratohet ky ligj ka pasur njerëz me granata dore dhe armë të tjera. Ligji ka kaluar nën trysninë e kërcënimeve me dhunë. Ligji është kaluar po ashtu me kërcënim të drejtpërdrejt ndaj deputetëve të Kuvendi të Kosovës dhe kjo është parë edhe me dërgimin e njërit prej deputetëve me forcë që të shkojë në Kuvend dhe të votojë atë ligj. Ligji është votuar duke thënë se është një ligj i cili do të përmbledhë të gjitha nevojat e të dënuarve në Hagë. Pra, kemi ardhë në një situatë ku një numër i njerëzve mund të ngrihet në protestë dhe të kërkojë kalimin e ligjeve të cilat në një formë ose tjetër do të adresojë një dënim të shkallës së parë në gjyq. Pra janë vendosur disa precedentë në jetën publike të cilat nuk janë të mira për këtë shoqëri”, ka deklaruar Surroi.
Surroi ka thënë gjithashtu se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e lexuan ligjin dhe e kaluan “shkel e shko”, pikërisht për shkak të protestave me kërcënime dhe si i tillë tashmë po kërkohet që të ndryshohet sërish.
“Pra nuk është mirë që të kërcënosh me armë për kalimin e një ligji, nuk është mirë që të kërkosh që me ligj të ndryshosh një aktgjykim dhe nuk është e mirë që krejt këtë ta bësh në një turmë e cila nuk e ka lexuar ligjin. Në fund deputetët e Kuvendin e Kosovës nuk e lexuan ligjin dhe e kaluan ‘shkel e shko’”, shtoi Surroi.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike (PDK) janë pajtuar ta bëjnë një projektligj të ri me të cilin synohet t’i kufizohet mandati Gjykatës Speciale.
Ligji është miratuar në dy lexime, por me kërkesë të PDK-së, presidentja Justina Shiroka Pula e pati kthyer në Kuvend. E, PDK-ja ishte bërë sërish pishman, dhe kërkoi që të rrëzohej vetoja e presidentes, në mënyrë që ndryshimet të bëheshin pasi ligji të hynte në fuqi.
Edhe
Surroi: Kosova mund të bëjë marrëveshje për ndërtimin e një hidrocentrali në Shqipëri
Por, pas mospajtimeve me procedurën, dy partitë janë marrë vesh për nismë të re ligjore.
Gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është në pritje që ekspertët ta përfundojnë draftin e ri të Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas dakordimit të arritur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për vazhdimin e nismës ligjore.