Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se programuesit janë profesionistët më të paguar në Maqedoninë e Veriut. Paga e tyre mesatare arrin në 110.801 denarë, ose rreth 1.802 euro.
Vendi i dytë u takon të punësuarve në kërkimet shkencore dhe zhvillim, të cilët marrin mesatarisht 87.241 denarë pagë neto, ekuivalente me rreth 1.419 euro.
Të lidhura
None found
Lista vijon me sektorin e transportit ajror, ku paga mesatare është 78.564 denarë, rreth 1.277 euro. Në vendin e katërt renditen të punësuarit në magazinim dhe veprimtari ndihmëse në transport, me 74.905 denarë ose afërsisht 1.218 euro.
Pesëshen e profesioneve me të ardhurat më të larta e mbyll prodhimi i produkteve bazë farmaceutike dhe preparateve farmaceutike, me një pagë neto mesatare prej 71.991 denarësh, rreth 1.171 euro.
Në skajin tjetër të renditjes ndodhen profesionet me të ardhurat më të ulëta, pagat e të cilave janë të paktën tri herë dhe në disa raste më shumë se katër herë më të vogla se ato të profesioneve më të paguara. Pagën më të ulët e kanë të punësuarit në veprimtaritë mbrojtëse dhe hetimore, me një mesatare prej 28.056 denarësh, ose rreth 456 euro.
Pas tyre renditen të punësuarit në peshkim dhe akuakulturë, me 30.750 denarë, rreth 500 euro, ndërsa në prodhimin e lëkurës dhe artikujve të ngjashëm prej lëkure paga mesatare është 32.319 denarë, ose afërsisht 526 euro.
Sipas përllogaritjeve të Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare mujore neto për të punësuarit në nivel shtetëror gjatë shtatorit të vitit 2026 ishte 49.141 denarë, rreth 799 euro. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 8,1 për qind në krahasim me shtatorin e vitit 2025.








