Pritjes së madhe i erdhi fundi për të gjithë fansat e Big Brother VIP Albania. Edicioni i gjashtë i reality show-t më të ndjekur në vend do të rikthehet në ekran në muajin dhjetor.
Lajmi është konfirmuar përmes një postimi në faqen zyrtare të programit në Instagram, ku është publikuar edhe videoja promovuese e sezonit të ri, e shoqëruar me një mesazh që ngre kureshtjen për atë që pritet të ndodhë.
\"Shumë kanë hyrë në atë derë. Asnjë nuk ka dalë i njëjtë.
Disa humbasin. Të tjerë fitojnë gjithçka. E gjithë Shqipëria, një lojë!
Big Brother VIP, Nga dhjetori!\"
Ajo që e bën këtë video të veçantë është se këtë herë nuk janë përfshirë vetëm banorët e edicionit të fundit, por personazhe nga të gjitha sezonet e mëparshme. Nga fituesit te konkurrentët që kanë lënë gjurmë me historitë, debatet dhe momentet e tyre, promoja rikthen në vëmendje disa prej figurave më të spikatura të këtij formati.
Ky rikthim i fytyrave të njohura ka shtuar edhe më shumë kureshtjen rreth sezonit të ri, veçanërisht për emrat që do të bëhen pjesë e shtëpisë këtë vit. Mbetet për t'u parë nëse Big Brother VIP Albania 6 do të sjellë personazhe edhe më të njohur dhe çfarë surprizash do të rezervojë për publikun.
