Kthesë e papritur në Nvidia, Jensen Huang rikthehet në krye të kompanisë pas skandalit, aksionet rriten me 31%

24/11/2026 07:57

Një zhvillim i papritur ka ndodhur në gjigantin amerikan të teknologjisë Nvidia. Jensen Huang është rikthyer në detyrën e drejtorit ekzekutiv (CEO) dhe presidentit të kompanisë, vetëm 10 ditë pas largimit të tij, në një vendim që ka shkaktuar reagime të forta në tregjet financiare.

Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, bordi drejtues ka votuar unanimisht për rikthimin e Huang në të gjitha funksionet e tij të mëparshme, duke përfshirë edhe anëtarësinë në bordin e administrimit.

Vendimi vjen pas një periudhe të trazuar për kompaninë, e cila u përball me një sërë akuzash dhe polemikash që lidhen me jetën personale të drejtuesit të saj dhe dyshime për lidhje të mundshme me një operacion të inteligjencës kineze.

Largimi i Huang ishte shoqëruar me rënie të ndjeshme të aksioneve të Nvidia në bursë, ndërsa lajmi për rikthimin e tij solli një kthesë të menjëhershme.

Sipas mediave italiane, rikthimi u bë efektivisht menjëherë, pas disa takimeve dhe diskutimeve mes Huang dhe bordit drejtues. Ky i fundit deklaroi se ishte bindur për sinqeritetin e tij dhe aftësinë për të drejtuar kompaninë.

Reagimi i tregjeve financiare ishte i menjëhershëm. Aksionet e Nvidia u rritën me rreth 31%, duke kaluar nga 136 dollarë në 163 dollarë për aksion. Rritja u regjistrua pas njoftimit për rikthimin e Huang në drejtimin e kompanisë.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump përshëndeti vendimin, duke deklaruar se bordi kishte marrë vendimin e duhur. Trump pranoi gjithashtu se kishte ndërhyrë për të bindur drejtuesit e kompanisë që Huang të rikthehej në detyrë.

Pavarësisht rikthimit, çështja nuk konsiderohet e mbyllur. Bordi i Nvidia ka ngritur një komitet të posaçëm me anëtarë të pavarur për të hetuar pretendimet se Huang mund të ketë qenë objekt i një operacioni të inteligjencës së huaj.

Në qendër të polemikave është edhe Alice Huang, një biznesmene kineze, e cila dyshohet për lidhje me inteligjencën kineze dhe për përfshirje në një rrjet që dyshohet se ka ndihmuar në transferimin e çipave të avancuar të Nvidia drejt Kinës, në kundërshtim me kufizimet amerikane.

Kompania ka njoftuar gjithashtu krijimin e një komiteti për sigurinë kombëtare dhe kontrollin e eksporteve, si dhe rekrutimin e një drejtuesi të ri për mbikëqyrjen e pajtueshmërisë ligjore.

Ndërkohë, Huang ka deklaruar se ndihet i nderuar për besimin e bordit dhe se është i gatshëm të rikthehet në drejtimin e një prej kompanive më të rëndësishme të industrisë globale të inteligjencës artificiale.

Top Channel