Katër persona janë arrestuar në Tiranë, pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet të blinduar tip “Audi”. Mes të arrestuarve janë dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.
Ngjarja u zbulua gjatë kontrolleve të ushtruara nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, pranë stadiumit “Arena Kombëtare”.
Gjatë kontrollit të automjetit, në të cilin ndodheshin katër persona, policia gjeti një pistoletë në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të makinës. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, 40-vjeçarit E. R., punonjës i Gardës së Republikës, u gjet edhe një tjetër armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, në pranga ranë E. R., 40 vjeç, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç dhe E. S., 46 vjeç. Sipas policisë, dy prej tyre janë ushtarakë, ndërsa njëri punonjës i Gardës së Republikës.
Përveç armëve të zjarrit, policia sekuestroi edhe një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga policia, e cila dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari I. Sh.