Një defekt i rëndë në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike ka lënë pa energji tre kabina elektrike në Bashkinë e Prrenjasit, që prej mbrëmjes së kaluar. Problemi është shkaktuar nga dëmtimi i një kablli dalës 6 kV në linjën e tensionit të mesëm.
Ndërhyrja për riparimin e defektit është paraqitur e vështirë, pasi kablli i dëmtuar ndodhet në linjën nëntokësore dhe lokalizimi i tij kërkon pajisje të specializuara. Sipas specialistëve, situata është komplikuar edhe nga prania e linjave të tjera të tensionit 35 kV në të njëjtin korridor.
Pas kontrolleve dhe matjeve teknike, pika e defektit është identifikuar rreth orës 07:00 të mëngjesit. Aktualisht, grupet e elektricistëve ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e linjës. Punimet po kryhen në kushte të vështira, pasi është e nevojshme hapja me krahë e gropave për të arritur te kablli nëntokësor. Pas ekspozimit të pjesës së dëmtuar, specialistët do të realizojnë bashkimin dhe izolimin e kabllit përmes procesit teknik të mufteve.
Për shkak të kompleksitetit të defektit, ndërhyrja kërkon kohë dhe nuk mund të kryhet përmes një riparimi të zakonshëm. Deri në përfundimin e punimeve dhe verifikimin teknik të linjës, tre kabinat vijojnë të jenë jashtë funksionit, ndërsa banorët dhe bizneset e zonës mbeten në pritje të rikthimit të furnizimit me energji elektrike.
