Reshjet e shiut dhe dëborës, kanë sjellë problematika në disa zona të Qarkut të Kukësit, ndërsa situata më problematike paraqitet në bashkinë e Tropojës.
Një pjesë e bazamentit të rrugës në aksin Bajram Curri-Cernicë është shembur, duke detyruar autoritetet të ndërpresin qarkullimin e automjeteve, për shkak të rrezikut që paraqet për sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Të lidhura
None found
Sipas raportit të strukturave të emergjencave civile, deri në orën 08:30 të datës 24 nëntor, në territorin e qarkut janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, ndërsa gjatë natës ka pasur reshje të lehta dëbore në zonat mbi 700 metra lartësi.
Dëmtimi më i rëndë është evidentuar në kilometrin 2+680 të segmentit Bajram Curri–Cernicë, ku shembja e bazamentit ka vënë në rrezik qëndrueshmërinë e trupit të rrugës.
Pas verifikimeve në terren, autoritetet kanë vendosur bllokimin e këtij segmenti për të shmangur aksidentet e mundshme. Policia e Tropojës është angazhuar në terren për zbatimin e masës, ndërsa automjetet po devijohen drejt aksit alternativ Sopot–Ura e Bujanit.
Ndërkohë, grupet e punës dhe subjektet kontraktore vijojnë ndërhyrjet për pastrimin e akseve nacionale nga gurët, inertet dhe materialet e depozituara nga reshjet.
Sipas autoriteteve, të gjitha rrugët nacionale në qark janë të kalueshme, me përjashtim të segmentit Bajram Curri–Cernicë.
Në bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohen problematika të tjera të rëndësishme. Probleme janë evidentuar edhe në furnizimin me energji elektrike.
Aktualisht, pa energji rezultojnë Njësitë Administrative Mamëz dhe Surroj, si dhe 16 abonentë në fshatin Çerem, në Njësinë Administrative Margegaj të bashkisë Tropojë.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ai vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës








