Një pagesë prej 750 mijë paundësh për ish-princin britanik Andreu ka përfunduar në qendër të një procesi gjyqësor në Londër. Milionerja turke Nebahat Isbilen, 81 vjeçe, pretendon se është mashtruar nga ish-këshilltari i saj financiar, Selman Turk, i cili dyshohet se ka përvetësuar rreth 38 milionë paund nga pasuria e saj.
Sipas pretendimeve të saj, Isbilen kishte miratuar transferimin e 750 mijë paundëve drejt Andreu Mountbatten-Uindsor, por ishte bindur se paratë do të përdoreshin për ta ndihmuar me çështjen e pasaportës. Avokatët e saj pretendojnë se Turk e kishte gënjyer për qëllimin e vërtetë të pagesës.
Turk i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se milionerja ishte në dijeni se paratë jepeshin me shpresën që ish-princi të ndërhynte për të ndihmuar bashkëshortin e saj, ish-deputetin turk Ilhan Isbilen, i cili ndodhet në burg në Turqi.
Në gjykatë u zbulua edhe një pagesë prej 15 mijë paundësh për Sarah Ferguson, ish-bashkëshorten e Andreu, e cila dyshohet se ishte paraqitur si kontribut për festën e saj të 60-vjetorit. Gjithashtu, u përmend një pagesë tjetër si dhuratë për martesën e vajzës së tyre, princeshës Beatrice.
Andreu i ka kthyer tashmë 750 mijë paundët dhe nuk akuzohet për asnjë shkelje. Ai pritet të dëshmojë në Gjykatën e Lartë në dhjetor.
Procesi gjyqësor pritet të përfundojë në mars, ndërsa vendimi përfundimtar do të publikohet më vonë.
