Ulen temperaturat në Shkodër, dëborë në zonat malore, qarkullimi vijon normalisht

Aktualitet | 7 minuta më parë

Pavarësisht uljes së temperaturave dhe reshjeve të dëborës në disa zona malore, situata në Qarkun Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe pa problematika të raportuara nga strukturat e emergjencave civile.

Në Bashkinë Shkodër, gjatë pasdites së djeshme janë regjistruar reshje të dobëta dëbore në zonën e Qafë Thores. Menjëherë janë angazhuar ekipet dhe mjetet e bashkisë për pastrimin e rrugës dhe trajtimin e saj me kripë, me qëllim parandalimin e ngricave. Deri mëngjesin e kësaj të marte, nuk raportohen problematika të tjera.

Sa i përket gjendjes së rrugëve, në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth moti paraqitet i kthjellët, por temperaturat kanë pësuar rënie, veçanërisht në zonën e Qafë Thores. Për këtë arsye, janë marrë masa për trajtimin e rrugëve me kripë për të shmangur krijimin e ngricave. Qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.

Në aksin Han i Hotit–Vermosh vijojnë punimet për pastrimin e materialeve inerte të rëna në rrugë, ndërsa lëvizja e automjeteve kryhet pa probleme.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, po vijon monitorimin e situatës dhe mbetet në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike apo shfaqjes së emergjencave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme