Kongolezi Martin Bakole do të përballet me Deontay Wilder më 11 dhjetor në Kardif, në mbrëmjen magjike që do të mbyllet më duelin e madh të peshës së rëndë mes dy boksierëve britanikë Tyson Fury dhe Anthony Joshua.
Wilder, ish-kampion bote në peshën e rëndë (WBC), njihet si një nga boksierët me goditjet më të fuqishme në këtë sport. Ai fillimisht ishte planifikuar të ndeshej me yllin australian të peshës “cruiserweight” (91kg), Jai Opetaia.
Ky i fundit u tërhoq për shkak të një dëmtimi dhe do të vazhdojë të garojë në kategorinë e tij. “Radhën e ka Bakole, e më pas… do të bëhet çmenduri,” tha Wilder në një postim të publikuar në Instagram.
“Nuk dua të zbuloj detaje të tjera për momentin, por sapo ta mposht atë, do të keni përballë kampionin e ri të botës në peshën e rëndë. Martin, po vijmë! Të falënderoj që e pranove këtë mundësi. Le t’u dhurojmë tifozëve, le t’u japim njerëzve diçka për të cilën do të flasin për gjithë jetën“, shtoi më tej Wilder.
Bakole ishte tashmë pjesë e programit të mbrëmjes dhe nuk është hera e parë që pranon një ndeshje të madhe me njoftim të shkurtër. Në të kaluarën, ai udhëtoi me vetëm tri ditë paralajmërim për të zëvendësuar Daniel Dubois në një duel kundër Joseph Parker.
Wilder dhe Bakole kanë së bashku 66 fitore dhe 59 nokautë, ndaj kjo është një ndeshje që nuk duhet humbur.







