Tragjedi në Gjermani/ Gjenden të vdekur pesë anëtarë të së njëjtës familje, mes tyre tre fëmijë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin Kehl, në landin Baden-Württemberg të Gjermanisë, ku pesë anëtarë të një familjeje janë gjetur të pajetë në një apartament.
Viktimat janë dy të rritur dhe tre fëmijë.
Fëmijët janë të moshës nga 9 deri në 13 vjeç. Ngjarja është zbuluar pasi fëmijët nuk ishin paraqitur në shkollë. Për këtë arsye, rreth orës 11:45, shërbimet e emergjencës kanë shkuar në banesë për të verifikuar situatën, ku kanë zbuluar pesë persona pa shenja jete.
Dyshohet se shkak i tragjedisë është bërë një rrjedhje gazi në apartament.
Sipas informacioneve paraprake të hetimit, nuk dyshohet për një krim. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, edhe apartamentet e tjera të pallatit janë kontrolluar për të përjashtuar praninë e gazit. Policia ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka më rrezik për banorët e zonës.
Shkaqet e sakta të rrjedhjes së gazit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt hetimi.




