PSG pritet të ndërhyjë në merkato, milionat e kampionëve të Evropës ‘ngjallin panik’ Bota e futbollit dhuron herë pas here episode paradoksale, siç ndodh në ato raste kur tifozët, në një moment vendimtar të sezonit, arrijnë të bëjnë tifo hapur kundër skuadrës së tyre, duke shpresuar që ajo të gabojë, vetëm e vetëm për t’u prerë rrugën rivalëve historikë dhe për të shmangur festimet e tyre në qytet.
Në kampionatin italian, shembulli më emblematik mbetet 5 maji i vitit 2002. Atë ditë, tifozët e Lazios mbështetën hapur Interin, rivalin e tyre, vetëm për të penguar Romën ose Juventusin të shpalleshin kampione dhe të festonin fitimin e titullit. Një përpjekje që rezultoi e kotë, pasi skuadra e drejtuar nga Alberto Zaccheroni triumfoi me rezultatin e pastër 4-2 ndaj zikaltërve, duke përmbysur parashikimet dhe duke i dhuruar në fund titullin Juventusit. Një skenar thuajse identik, në mos edhe më ekstrem, u përsërit këtë të hënë në fushat e futbollit suedez. Këtu viktimë e situatës, pa dëshirën e tij, u bë Djurgården. Aktualisht në vendin e tretë në elitën e futbollit suedez, skuadra është tashmë jashtë garës për titullin kampion, e cila është kufizuar në një duel mes kryesueses Sirius dhe ndjekëses së saj, Hammarby. Pikërisht në ndeshjen e mbrëmshme, të vlefshme për javën e parafundit të kampionatit, skuadra e Stokholmit ishte mysafire e kryesuesve në një përballje që kishte më shumë se thjesht rëndësi sportive, pasi në lojë ishin pikë të rëndësishme për të siguruar një vend në kompeticionet e ardhshme evropiane.
Megjithatë, që në minutat e para të ndeshjes, tifozët miq që kishin udhëtuar drejt stadiumit në Upsala nisën të brohorisnin në mbështetje të vendasve, madje shpërthyen në festime që në minutën e 12-të, kur sulmuesi i skuadrës së tyre, Kristian Lien, gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Pak më vonë, Sirius kaloi në avantazh falë golit të Matthias Nartey, duke vulosur një fitore që e shkëput me tri pikë nga Hammarby, e cila ende duhet të luajë ndeshjen e saj kundër Goteborgut, që renditet në vendin e dhjetë. Pas vërshëllimës përfundimtare, futbollistët e Djurgårdenit u drejtuan menjëherë drejt tunelit të dhomave të zhveshjes, duke shmangur përshëndetjen e zakonshme me tifozët në sektorin mik.
‘Të them të drejtën, nuk e kam idenë se për çfarë arsyeje duhej t’i falënderonim’– deklaroi pa doreza portieri Jacob Rinne për mikrofonat e Fotbollskanalen.se-Ishte një mbrëmje vërtet e hidhur, ndonëse i kuptoj dhe i respektoj ndjenjat e tifozëve. Ata nuk na mbështetën. Duhej të na inkurajonin, jo të festonin kur humbnim një penallti apo pësonim gol. Ne zbresim në fushë si profesionistë për të bërë detyrën tonë’.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kapiteni Adam Ståhl: ‘E kuptoj gjendjen shpirtërore të tifozëve, por puna jonë meriton respekt. Ajo që ata do të dëshironin nga ne është, para së gjithash, e paligjshme dhe moralisht e gabuar. Një sjellje e tillë nuk përputhet me mentalitetin e fituesit dhe as nuk është dinjitoze. Humbja në këtë ndeshje na dhemb jashtëzakonisht shumë’-tha ai.
Kështu, vendimi përfundimtar për titullin kampion do të shtyhet në 29 nëntor. Kryesuesja Sirius do të luajë në transfertë ndaj Goteborgut, ndërsa Hammarby do të presë Västerås Sportklubb, skuadrën që mban vendin e gjashtë në renditje. Nga ana tjetër, Djurgården do të duhet të mbrojë vendin e tretë në klasifikim nga sulmi i Häckenit, në një përballje direkte me shumë rëndësi. Këtë herë, megjithatë, do të luajë përpara tifozëve të saj.
Top Channel