Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm ish-drejtuesin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili ishte marrë i pandehur për veprat penale të pastrimit të parave dhe përkrahjes së autorit të krimit.
Çështja ndaj Breçanit u shqyrtua nga Gjykata e Tiranës, pasi më herët Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte shpallur moskompetencën për gjykimin e tij, duke ia kaluar dosjen për shqyrtim gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm.
Akuzat
Erzen Breçani akuzohej nga SPAK për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit, në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
Sipas hetimeve, ai dyshohej se, në bashkëpunim me djalin e tij, Eralbi Breçani, kishte fshehur origjinën e parave që dyshohej se vinin nga aktiviteti kriminal, duke i investuar në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete biznesi, përfshirë hidrocentralin “Drita”.
Gjithashtu, Breçani dyshohej se kishte ndihmuar Bujar Ajetin dhe Nuredin Dumanin për t’iu shmangur arrestimit, duke u përcjellë informacione që mund t’i ndihmonin të mos binin në duart e policisë.
Breçani i ka kundërshtuar akuzat, ndërsa tashmë Gjykata e Tiranës e ka shpallur të pafajshëm.













