Prrenjasi pa energji që prej mbrëmjes së kaluar, defekt i rëndë në rrjetin elektrik, dëmtimi nëntokësor vështirëson riparimin
Një defekt i rëndë në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike ka lënë pa furnizim një pjesë të territorit të Bashkisë Prrenjas që prej mbrëmjes së kaluar. Problemi lidhet me dëmtimin e një kablli dalës 6 kV në linjën e tensionit të mesëm, duke nxjerrë jashtë funksionit tre kabina elektrike.
Ndërhyrja për riparimin e defektit është paraqitur e vështirë për shkak të pozicionimit nëntokësor të kabllit. Për identifikimin e saktë të pikës së dëmtuar, specialistëve u është dashur të përdorin pajisje të posaçme matëse dhe zbuluese.
Situata është komplikuar edhe nga prania e linjave të tjera të tensionit 35 kV në të njëjtin korridor, duke e bërë më të vështirë lokalizimin e kabllit të dëmtuar.
Pas kontrolleve dhe matjeve teknike, defekti është lokalizuar rreth orës 07:00 të mëngjesit. Aktualisht, grupet e elektricistëve ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e linjës së dëmtuar.
Punimet po zhvillohen në kushte të vështira, pasi specialistët po kryejnë gërmime për të arritur te kablli nëntokësor dhe për të realizuar ndërhyrjen teknike.
Deri në përfundimin e riparimeve dhe verifikimin e rrjetit, tre kabinat elektrike vijojnë të jenë jashtë funksionit.
Ndërkohë, banorët dhe bizneset e zonës presin rikthimin e furnizimit me energji elektrike, ndërsa grupet teknike vijojnë punën për zgjidhjen e situatës.




