Policia Rrugore e Gjirokastrës ka vendosur 2 338 gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit gjatë një monitorimi që ka zgjatur 3 javë. Gjatë kësaj periudhe, 10 persona janë arrestuar ose janë vënë në hetim, ndërsa 32 drejtuesve të mjeteve u është pezulluar leja e drejtimit.
Monitorimi është kryer me pajisje bashkëkohore, ndërsa kontrollet kanë pasur në fokus drejtuesit që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, kryejnë parakalime të gabuara, drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo përdorin celularin gjatë drejtimit.
Sipas njoftimit të Policisë, gjobat e vendosura gjatë këtyre 23 ditëve ndahen si më poshtë:
615 gjoba për parakalime të gabuara;
844 gjoba për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
480 gjoba për ndalim ose qëndrim të gabuar të automjetit;
14 gjoba për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
19 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
9 gjoba për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
10 gjoba për drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit;
14 gjoba për kryerjen e manovrave të rrezikshme;
15 gjoba për qarkullim me xhama të errësuar;
318 gjoba për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Ndërkohë, Policia Rrugore vijon të jetë e pranishme edhe pranë shkollave, për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe për të menaxhuar trafikun në oraret e hyrjes dhe daljes nga procesi mësimor.







Komente
Komento