Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të ishujve Galapagos në Ekuador, duke detyruar banorët të largohen nga banesat e tyre. Ekipet e shpëtimit kanë kryer evakuime me varka, ndërsa komunitetet po përpiqen të shpëtojnë sendet personale dhe pajisjet shtëpiake, përcjell Euronews.
Në qytetin Puerto Ayora, në ishullin Santa Cruz, uji ka arritur deri në lartësinë e belit, duke i kthyer rrugët në kanale të përmbytura. Pamjet ajrore tregojnë lagje të tëra të mbuluara nga uji, ndërsa në terren banorët shihen duke u larguar me varka ose duke nxjerrë mobiliet, pajisjet elektroshtëpiake dhe sendet personale nga banesat dhe dyqanet e përmbytura.
Në operacionet e ndihmës janë angazhuar forcat ushtarake dhe vullnetarë të komunitetit. Ata po shpërndajnë ushqime përmes kuzhinave komunitare dhe po ndihmojnë personat e zhvendosur të strehohen në ambiente emergjence.
Ndërkohë, banorët kanë ngritur barriera të improvizuara për të penguar depërtimin e mëtejshëm të ujit dhe kanë nisur pastrimin e banesave e bizneseve të dëmtuara.
Përmbytjet dyshohet se lidhen me fenomenin klimatik El Niño, i karakterizuar nga ngrohja e pazakontë e ujërave të Oqeanit Paqësor pranë ekuatorit, i cili shpesh shoqërohet me reshje më intensive në Ekuador dhe në arkipelagun Galapagos. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se një ngjarje e veçantë meteorologjike nuk mund t’i atribuohet drejtpërdrejt vetëm këtij fenomeni.
Për banorët që kanë humbur pasuri dhe kanë pësuar dëme në bizneset e tyre, strehimi emergjent po siguron ndihmën e parë, ushqimin dhe mbrojtjen e nevojshme, ndërsa pritet një proces i vështirë pastrimi dhe rikuperimi.