Pamje të rënda/ Pushimet kthehen në tragjedi, turisti amerikan dhunohet për vdekje nga ish-kampioni i arteve marciale pas sherrit në hotel

24/11/2026 10:24

Një turist amerikan 46-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti fizik me një ish-sportistin e arteve marciale mikse (MMA), në ambientet e një hoteli në Bangkok të Tajlandës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës, më 22 nëntor, në zonën Phra Khanong, pasi amerikani u përfshi fillimisht në një debat me punonjësit e hotelit për shkak të zhurmës.

Sipas raportimeve të mediave lokale, viktima, i identifikuar si Kalif Edward Harper, 46 vjeç, nga shteti i Miçiganit, kishte debatuar me recepsionisten dhe dyshohet se e kishte kërcënuar atë. Në këtë moment, në hollin e hotelit mbërriti një shtetas italian 39-vjeçar, Frank Eric Marques, i njohur si ish-sportist MMA dhe kampion në Brazilian Jiu-Jitsu.

Sipas hetimeve paraprake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, amerikani iu drejtua italianit, i cili po shkonte drejt ashensorit. Pavarësisht përpjekjeve të këtij të fundit për t’u larguar, situata u përshkallëzua kur Harper hapi me forcë dyert e ashensorit dhe e tërhoqi atë jashtë.

Mes dy burrave nisi një përleshje fizike, gjatë së cilës italiani përdori një teknikë bllokimi të qafës, duke e neutralizuar 46-vjeçarin. Harper humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Punonjësit e hotelit njoftuan menjëherë shërbimet e urgjencës, të cilat mbërritën në vendngjarje dhe kryen reanimimin kardiopulmonar, por pa sukses. Turisti amerikan ndërroi jetë në vend.

Pas ngjarjes, 39-vjeçari italian priti mbërritjen e policisë dhe u shoqërua nga autoritetet tajlandeze. Ai ka deklaruar se veproi në vetëmbrojtje, pasi ishte sulmuar fillimisht nga amerikani.

Pamjet e kamerave të sigurisë duket se tregojnë se Harper ishte ai që e nisi përplasjen fizike, megjithatë autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse reagimi i italianit ishte në kushtet e vetëmbrojtjes. Policia e ka ndaluar 39-vjeçarin dhe ka nisur procedimin penal për vrasje.

Ekspertët mjekoligjorë po kryejnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Ndërkohë, autoritetet tajlandeze janë në kontakt me Ambasadën Amerikane për njoftimin e familjarëve të viktimës dhe ndjekjen e procedurave përkatëse. Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa pretendimi i të dyshuarit për vetëmbrojtje mbetet për t’u vlerësuar nga drejtësia tajlandeze.

Top Channel