Konferenca e Kryetarëve pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për një mocion me debat parlamentar mbi Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë për 2026-ën. Debati në Kuvend u caktua për më 10 dhjetor.
Në fokus pritet të jetë vlerësimi i Komisionit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, arritjet e shënuara, si edhe problematikat që pengojnë avancimin e reformave.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar “historik” rekomandimin e Komisionit Europian lidhur me nisjen e përgatitjeve për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian më 2027-ën. Por, pranoi se vendi ende ka punë për të bërë në përmbushjen e standardeve të kërkuara.
Në raport, Komisioni Europian vlerëson përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, por njëkohësisht evidenton një sërë sfidash që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.
Ndër çështjet kryesore mbeten lufta kundër korrupsionit, garantimi i pavarësisë së drejtësisë, liria e medias, funksionimi i institucioneve dhe rritja e konkurrueshmërisë ekonomike.
Një shqetësim i veçantë lidhet me mungesën e dialogut politik mes maxhorancës e opozitës, si dhe me efektivitetin e kufizuar të Kuvendit në ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj ekzekutivit.
Komisioni Europian thekson se mungesa e dialogut të mirëfilltë politik, konsultimeve publike dhe përplasjet e vazhdueshme mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, vijojnë të cenojnë funksionimin e Parlamentit.
Mocioni i 10 dhjetorit pritet të rikthejë në qendër të debatit parlamentar ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian, përgjegjësitë e maxhorancës e opozitës, si dhe reformat që duhet të përmbushë vendi, në rrugën drejt anëtarësimit.