Shkon në dy numri i viktimave nga atentati i ndodhur të hënën në Fier. Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami”, ka ndërruar jetë në spital, pasi mbeti i plagosur gjatë sulmit me armë ndaj xhaxhait të tij.
Jakup Hasani kishte marrë tre plumba në trup. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai ishte dërguar në repartin e reanimacionit, ku mbahej nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe masa të rrepta sigurie. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Ndërkohë, në lidhje me atentatin, tre persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Fierit dhe janë marrë në pyetje në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar praninë e një automjeti tip Volvo pranë banesës së Hasanit. Makina u gjet më pas e djegur te kthesa e Pojanit. Dyshimet e hetuesve janë edhe për dy persona të veshur me të zeza dhe me kapuçë, të cilët janë pikasur në zonë. Megjithatë, policia ende nuk ka konfirmuar identitetin e autorëve dhe vijon kërkimet për kapjen e tyre.
Vrasja e Selami Hasanit dyshohet se mund të ketë lidhje me një hasmëri të vjetër me familjen e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, një prej emrave të njohur të botës së krimit në Fier.
Selami Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe plagosje pas një përplasjeje të armatosur të ndodhur më 25 mars 2002, në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës” në Fier. Në atë përplasje humbën jetën Julian Isufaj, nipi i Arben Isufajt, dhe Esat Tare, një kambist, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj.
Në shkëmbimin e zjarrit dyshohet se ishin përfshirë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Ngjarja u lidh nga hetuesit me konfliktin e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.
Pas ngjarjes, Hasani ishte larguar nga Shqipëria, por u arrestua nga forcat RENEA në Fier më 12 gusht 2009, gjatë operacionit të koduar “Parukieri”. Gjatë arrestimit iu sekuestruan edhe dy pistoleta.
Për dënimin e tij prej 25 vitesh burg, Hasani ishte liruar më 3 nëntor të këtij viti nga burgu i Fushë-Krujës. Vetëm pak ditë pas lirimit, ai u ekzekutua në Fier.
Dyshimet paraprake janë se atentati mund të jetë një akt hakmarrjeje për ngjarjen e marsit 2002, kur mbeti i vrarë edhe Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes. Megjithatë, kjo pistë mbetet ende për t’u konfirmuar nga hetimet.a.b




