Komisioni Europian ka propozuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, në kuadër të masave për të kufizuar financimin e luftës në Ukrainë. Paketa e 22-të parashikon kufizime të reja në sektorin financiar, energjetik dhe atë të kriptomonedhave, si dhe masa që prekin sportistët rusë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se propozimi përfshin kufizime ndaj 60 bankave ruse dhe platformave të kriptomonedhave, ndërsa për herë të parë parashikohen masa edhe ndaj kompanive të sektorit të energjisë elektrike.

“Ngjarjet sportive nuk mund të jenë një forum për aktivitete propagandistike. Sot, për çdo ngjarje sportive në BE, ne po vendosim ndalime për ekipet dhe atletët rusë që garojnë nën flamurin rus”, tha der Leyen.

Një tjetër masë e propozuar është ndalimi i pjesëmarrjes në aktivitetet sportive të Bashkimit Europian për ekipet dhe sportistët që garojnë nën flamurin rus. Paketa parashikon gjithashtu kufizime vizash për ish-luftëtarët rusë dhe ndalon qytetarët europianë të mbajnë poste në kompani në Rusi.

Brukseli synon të përfshijë në këto masa edhe vende të treta që ndihmojnë Moskën të shmangë sanksionet, ndërsa për këtë qëllim është krijuar edhe një grup i posaçëm pune për monitorimin e transaksioneve me kriptomonedha.

Propozimet e Komisionit Europian duhet të marrin miratimin unanim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian përpara se të hyjnë në fuqi.